E përditësuar/ Pas rreth 5 orë diskutimesh, palët nuk kanë rënë dakort për mënyrën e krijimit të intitucioneve të reja si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Opozita dhe maxhoranca nuk bien dakort për mënyrën e emërimit të anëtarëve të këtyre dy isntitucioneve, një çështje e cila do ti kalojë për shqyrtim ekspertëve dhe më pas do të diskutohet sërish nga palët politike.
Nga ana tjetër, është rënë dakort që formula e zgjedhjes së një sërë isntitucionesh dhe vendimesh që do të sjellë reforma, të mos jetë me 3/5, por nuk është rënë ende dakort për formulën ekzakte, se cila do të jetë ajo.
Në përfundim të mbledhjes së komisionit të posaçëm, deputeti demokrat Eduard Halimi tha se dakortësi ka patur për një sërë çështjesh, përfshi këtu atë për Byronë Kombëtare të Hetimit, e cila do të jetë në varësi të Prokurorisë Speciale. Halimi shtoi se mosdakortësi ka për isntitucionet e reja që do të krijohen, duke thënë se ekspertët e opozitës kanë vënë re që në draft ka një sërë aspektesh që tentojnë drejt kapjes politike apo korporativizmit.
“Ka mosdakortësi ndërmjet palëve lidhur me komponenten që ka të bëjë me ngritjen e institucioneve të reja… bëhet fjalë për pjesën e emërimit dhe disiplinimit të gjyqtarëve. Për ne nuk ka një balancë si dhe ka probleme të kapjes dhe korporatizmit. Kemi mosdakortësi për këto çështje, por do të jenë ekspertët që do ta përpunojnë dhe më pas do të vijë diskutimi politik.”- thas Halimi.
Nga ana tjetër, kryetari i komisionit të posaçëm Fatmir Xhafaj tha se e gjithë paketa kushtetuese dhe ligjore që përfshin reformën do të votohet si e tërë. Xhafaj theksoi se reforma do të kalojë menjëherë sapo të sheshohen mosdakortësitë mes palëve.
“Kemi patur një diskutim të frytshëm në vazhdim të cështjeve të debatuara lidhur me reformën. Natyrisht duke mbetur të fokusuar tek argumentat që ka patur dhe ka opozita lidhur me disa cështje të projektit. Tashmë kemi një projekt për të cilin flasim dhe debatojnë si dhe një opinion final të Venecias për këtë projekt.
Duke ruajtur kornizën e komisionit të venecias, mbi këtë projekt shumë të mirë që kemi ne jemi në gjëndje që të mund të arrijmë një konsensus që nuk do të cënojë thelbin e projektit. Janë disakutuar të 10 cështjet e pretenduara nga opozita, një pjesë e tyre kanë nevojë për diskutim në rrafshin politik.”- tha Xhafaj.
………………….
Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, në prani dhe të përfaqësuesve të opozitës, po vijon mbledhjen me dyer të mbyllura, e nisur që nga ora 10:00, ku po diskutohen çështjet, për të cilat palët nuk kanë gjetur ende mirëkuptim.
Mediat raportojnë se gjatë këtyre orëve komisioni ka rënë dakort për ndërprerjen e mandateve të anëtarëve të institucioneve kushtetuese, ndërsa nuk ka ende një rezultat për mandatin e prokurorit të përgjithshëm. Po ashtu, maxhoranca dhe opozita kanë gjetur dakortësinë që të ndryshojnë procedurat e emërimit të vëzhguesve ndërkombëtarë në procesin e vlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve. Ata nuk do të miratohen nga kryeministri, por nga Avokati i Popullit.
Në fillim të mbledhjes së sotme të komisionit, e thirrur pas më shumë se dy javësh, ishte e pranishme dhe ambasadorja e BE-se, Romana Vlahutin, e cila inkurajoi palët që ta miratojnë reformën deri në verë.
Më pas, zyra e Delegacionit të BE-se dhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë, përmes një deklarate të përbashkët, mbështeten rifillimin e dialogut. Ata i bënë thirrje partive politike që të dëgjojnë zërin e 91% të shqiptarëve që e mbështesin këtë reformë të rëndësishme, duke e çuar atë drejt përfundimit me sukses, pa vonesa apo pengesa.