Nga Enkel Demi
Kur Edi Rama e tha këtë punën e Donald Trup në studion e Mustafa Nanos në TemA TV, nuk është se pati shumë reagime. Duket kjo u konsiderua një opinion krejt për konsum të brendshëm, madje në sinoret e një media online. Ndryshe ndodhi, kur kjo deklaratë u gjet interesante nga New York Times dhe më pas nga CNN. Si përherë, ne vuajmë nga sindromi si paraqitemi, kur na e varin të jashtmit. Ndaj, edhe Lulzim Basha reagoi me një batutë të hollë nga ato që Preçi ia dërgon me sms. Rama u përshkrua si fanar ndriçues dhe udhëheqës botëror. Ky i fundit nuk e vrau shumë mendjen, por në studion e CNN ngulmoi në të tijën, megjithëse gazetari i kujtoi që kemi të bëjmë me zgjedhjet e një vendi, në të cilin ai nuk ka ndonjë tagër.
Është mëse e qartë që kryeministri i Shqipërisë është përfshirë në një strategji të mirëfilltë PR përsa i përket zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Hartuesit e saj duket kanë patur nevojë për një udhëheqës politik që vjen nga Europa, i cili të theksojë se në rastin e fitores të një ekstremisti si Trump punët me kontinentin e vjetër nuk janë aq mirë. Amerikanët e thjeshtë, pra shumica dërrmuese, as që e kanë idenë se ku, si, qysh, tek është Shqipëria. Shumë prej tyre as e dinë ku bie, por po u the se është një vend në Europë mund të ftillohen më lehtë dhe mund ta marrin më mirë mesazhin. Kaq ishte e gjitha, ndaj dhe doktori nuk reagoi për këtë çështje, megjithëse ka një ushtri informatorësh digjitalë. Sepse, doktori që e shpiku politikën e batutës, kaq e di që nuk ishte vendi për hajgare, pasi mesazhin nuk po ta sjell Preçi a Kaçi, por vëllai i madh.
Është i njëjti lajms që e shtyu kryetarin e qeverisë të hedhë në sheshin e shqiptarëve lëndën e mësimit të feve. Ateistët e Shqipërisë u ndjenë sikur do i nxirrnin gollomesh pa mosbesimin e tyre, pasi duhet pranuar që shkolla shqiptare nuk është laike, por ateiste. Fjala vjen, askund në lëndët mësimore nuk i bëhet qoftë dhe një oponencë e zbehtë teorisë së Darvinit, por ajo konsiderohet e vërtetë e padiskutueshme. Një besimtar, si duhet të sillet me fëmijën që mëson në shkollë, madje e jep provim këtë gjë? Pikërisht këtu, ateistët menduan se po u bie kështjella që mbajnë prej vitesh në edukim, ndaj dolën në fis me shprehjet: “feja është problemi” apo “feja opium për popujt”. Duhet thënë se vetë Rama nuk është ndonjë besimtar i dalluar, madje i bën lëmsh këto punët e besimit. Ai thotë se vetë është katolik, kur nuk ka asnjë çertifikatë pagëzimi, që gruan e ka myslimane, e cila nuk respekton kurrfarë riti islam dhe të premten nuk është se shkon në xhami, që djalin e madh ka orthodoks dhe Zahon me gjasë katolik se e bekoi Papa, kur Ati i Shenjtë bekon fëmijë me mijëra në botë, qofshin myslimanë a budistë. Ndaj, kjo qasje e Ramës me besimin rrëfen më shumë një njeri që është lojëcak edhe me Zotin. Kështu, kur tregonte në VOA se në Shqipëri do të çelet Qendra Rajonale kundër Radikalizmit, e cila do të ngrihet së bashku me amerikanët, atëherë është e qartë pse u tha kjo puna e mësimit të fesë. Në kuadër të një strategjie amerikane që është e bindur se ekstremizmi luftohet, nëse njeh në thelb besimin, atë thelb që të mëson paqen dhe jo luftën. Kështu, ateistët e Shqipërisë nëse dëshirojnë të bëjnë debat, mund të përqëndrohen në kundërshtimin e kësaj strategjie, sepse kryeministri ynë po zbaton thjesht porosinë e vëllait të madh që në shqip i themi big brother. / 27.al