Në emër të grupit parlamentar të socialistëve për kërkesën e opozitës për ndryshimin e rregullit të funksionimit të komisioneve hetimore, Pandeli Majko i ka krahasuar demokratët me “Doktor Adhamudhin”.
“PD duhet të gjente një mënyrë tjetër për zgjidhjen e kësaj cështjeje dhe jo me teknikën e Dr. Adhamudhit që thotë “të dhemb një sy hiqe, të dhemb një dorë preje e kështu me rradhë.” –tha Majko.
Deputeti socialist u ka kujtuar demokratëve se vitet kanë treguar që komisionet hetimore parlamentarte nuk kanë qenë të suksesshme, por më shumë një makinacion që është përdorur për qëllime krejtësisht politike. Majko ka theksuar se opozita mund të kishte përdorur më shpesh institucionin interpelancës.
“Sot që flasim rastet e mosfunksionimit për arsye të mungesës së maxhorancës janë të limituara. Oferta që ju bëni do të ndryshojë në mënyrë parimore mënyrën e funksionimit të Kuvendit dhe hapet precedenti i një keqfunksionimi që komisionet të rëndomta parlamentare të diskutojnë nëse mund të funksionojë në bazën e pakicave.. Ajo që më shqetëson në parim është një fakt shumë i thjeshtë. Kam dy vite, dhe nuk kam parë ndonjë që të shfrytëzojë institucionin e interpelancës ”, tha Majko.
Kërkesa e PD për komisionet hetimore konsiston në ndryshimin e rregullit të funksinimit të saj kur vjen fjala për kuorumin e nevojshëm. PD kërkon që komisioni të nisë punën vetëm me prezencën e anëtarëve të saj, me argumentin se maxhoranca nuk sjell përfaqësuesit e saj, me qëllim bllokimin e komisioneve të ngritura nga opozita.