Beogradi është i gatshëm për bashkëpunim të plotë metë gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare sa i përket hetimeve për ngjarjet në Zubin Potok. Ky është mesazhi qe kujdeset të përsërisë presidenti serb Aleksandër Vuçiç mes akuzave të Prishtinës se Beogradi qëndron pas sulmit. Vuçiç tha se nëse diçka e tillë është bërë nga dikush i nacionalitetit serb në territorin që siç tha kontrollohet nga Serbia, ai do të ndalohet e arrestohet në moment por se për momentin nuk ka informacione të tilla. Sipas Vuçiç, tre gjëra janë të rëndësishme.
“E para, ne jemi të gatshëm për bashkëpunim të plotë në hetime metë gjitha organizatat e institucionet ndërkombëtare në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit në mënyra të caktuara dhe me institucionet e Prishtinës, pa rrezikuar sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Serbisë. Së dyti, nuk ka dyshim se Beogradi nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen. Siç e shihni nuk ka asnjë provë apo spekulim se mund ta kemi bërë ne. E treta dhe më e rëndësishmja, është se Beogradi nuk u ngut ashtu si Prishtina për të akuzuar dikë, por do të presë”, tha presidenti serb.
Vuçiç shton më tej se pavarësisht pretendimeve të Prishtinës për arrestimin e 10 personave ata nuk kanë lidhje me ngjarjen. Sipas tij më e rëndësishme se gjetja e autorit, është te zbulohet sekush qëndron pas këtij akti.
“Argumenti se Rusia ka shënjestruar infrastrukturën energjetike në Ukrainë dhe kështu ka ndodhur në Kosovë, nuk qëndron”, thotë Vuçiç.
Ai pretendon se Prishtina po nënvlerëson të gjithë ata që kanë arsye, inteligjencë dhe tru.
“Mund ta kopjoni në disa shembuj të tjerë, kjo është shumë e gabuar dhe krejtësisht budallallëk”, deklaroi Vuçiç.
/a.r