Shtetet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania, të cilat janë në kufi me Rusinë – e kanë përditësuar rregullisht informacionin publik gjatë dekadës së fundit. Kjo buron pjesërisht nga përvojat historike të pushtimit sovjetik, si dhe nga frika se do të ndodhë sërish diçka e ngjashme.
Në anën tjetër të Detit Baltik, janë përditësuar këshillat e gatishmërisë në rastet emergjente edhe në Danimarkë dhe Norvegji. Në Danimarkë, fushata informuese nuk ka direkt lidhje me luftën, por përmend kriza të tjera të mundshme si moti ekstrem dhe sulmet kibernetike.
Këshillat fokusohen tek mënyra se si mund të përgatiten qytetarët të përballojnë për 3 ditë jetesën pa energji elektrike, përfshirë furnizimin me ujë dhe të pasurit një rezervë ushqimesh të konservuara. Ndërkohë edhe autoritetet norvegjeze, japin këshilla sesi mund të mbijetohet për 3 ditë pa energji elektrike.
Ato sugjerojnë magazimin e 9 litrave ujë për person, si dhe ushqime, shkrepse, qirinj dhe tableta me jod në rastin e një sulmi bërthamor. Finlanda dhe Suedia, që janë anëtarësuar së fundmi në NATO-, nisën këtë muaj fushatat e gatishmërisë për krizat e mëdha. Të dy vendet po u bëjnë thirrje qytetarëve dhe banorëve, që të jenë më të përgatitur për të përballuar ngjarje të papritura. Fletëpalosja me këshilla në Suedi, është e disponueshme në mënyrë dixhitale, por është dërguar edhe me postë në formatin letër tek 5.2 milionë familje. Kopertina e verdhë tregon dy ushtarë të armatosur, një anije luftarake dhe avion luftarak.
Brenda, lexuesit mund të mësojnë mbi gjithçka, nga sistemet e paralajmërimit, vendstrehimet dhe evakuimi emergjent, deri te siguria dixhitale dhe gatishmëria në shtëpi. Ajo nis më fjalët: ”Po jetojmë në kohë të pasigurta. Konfliktet e armatosura po zhvillohen aktualisht në cepin tonë të botës!”.
Po ashtu, fletëpalosja jep këshilla praktike për ruajtjen e ushqimit në kushtet e mungesës së energjisë elektrike, qasjen tek ndihma shëndetësore dhe uji. Nëse për shkak të kizës, nuk mund të ketë furnizim të dyqaneve, atëherë raftet mund të boshatisen brenda disa ditësh.
Këshillohet që të mbahen para të thata, pasi mund të mos funksionojnë format dixhitale të parave. “Filloni të përgatiteni gradualisht që tani, duke blerë një ose dy artikuj shtesë, sa herë që shkoni në dyqan”- theksohet në fletëpalosje. Po ashtu, ajo përfshin një përshkrim të konceptit suedez të “mbrojtjes psikologjike”, e cila ka agjencinë qeveritare përkatëse që nga viti 2022. Mbrojtja psikologjike, thuhet në faqen kryesore të agjencisë, është “aftësia e përbashkët shoqërisë për të zbuluar dhe i rezistuar ndikimin keqdashës të informacionit të drejtuar në Suedi nga fuqitë e huaja armike”. Udhëzuesi finlandez, ka një qasje të ndryshme. Imazhi i kopertinës është më metaforik. “Njerëzit e përgatitur e përballojnë më mirë”- thuhet në të, ndërsa paraqiten dy gra në shi, ku vetëm njëra prej tyre mban çadër.
Ndërkohë, udhëzuesi online ka një sërë temash për të klikuar, përfshirë konfliktin ushtarak, terrorizmin, ndotjen e ujit dhe ndërprerjet e energjisë elektrike. Dallimet në qasjen e tyre mund të shpjegohen, të paktën pjesërisht, nga historitë e ndryshme të këtyre dy vendeve fqinje dhe marrëdhëniet e tyre përkatëse me Rusinë.
Suedia mbeti neutrale në Luftën e Dytë Botërore, dhe nuk ishte ndonjëherë e pushtuar si Danimarka dhe Norvegjia. Por paralele të panumërta janë tërhequr midis ushtarëve të sotëm ukrainas, dhe rezistencës së fortë të finlandezëve ndaj pushtimit brutal sovjetik gjatë Luftës së Dimrit të viteve 1939-1940.
Pas Traktatit të Moskës të vitit 1940, Finlanda ia dorëzoi Bashkimit Sovjetik 11 për qind të territorit të saj. President i Finlandës, Alexander Stubb, thotë se anëtarësimi në NATO-n ishte një domosdoshmëri pas fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Duke kujtuar historinë e tyre, finlandezët menduan se Rusia mund të përparonte edhe drejt tyre. Suedia ka një histori të gjatë të fushatave informuese mbarëkombëtare dhe planifikimit ambicioz të mbrojtjes civile, krahasuar me shumicën e vendeve të tjera. Që në vitin 1943, qeveria lëshoi të parën fletëpalosje për çdo familjeje suedeze me titullin “Nëse vjen lufta: Udhëzime për qytetarët suedezë”.
Ajo përmbante informacione për gjithçka, nga sirenat, vendstrehimet dhe ndërprerjet e energjisë elektrike, tek spiunët dhe thashethemet, dhe si të ruhej “vullneti për t’u mbrojtur”. Disa botime të përditësuara u publikuan gjatë Luftës së Ftohtë, duke u fokusuar në atë që duhet bërë në rastin e një sulmi bërthamor, si në vitet 1952, 1961, por edhe në vitet 1980.
Për dekada të tëra, informacioni kryesor u përfshi në të gjithë librat telefonikë suedezë. Midis viteve 1996-2004, Suedia e çmontoi mbrojtjen e saj civile së bashku me pjesën më të madhe të mbrojtjeve të saj ushtarake. Por në vitet 2010, e kuptoi se kjo nuk ishte një ide dhe aq e mirë.
Në vitin 2017, rifuti shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ndërsa në vitin 2018, pas dekadash heshtje mbi çështjen e mbrojtjes civile dhe gatishmërisë, autoritetet suedeze rishikuan qasjen e tyre të Luftës së Ftohtë. Gjashtë vjet më vonë, është shfaqur një udhëzues i ri.
Ndërkohë, finlandezët e ruajtën mënyrën e të mbrojtjes në vitet 1990 dhe fillimin e viteve 2000, të pakënaqur nga ardhja e paqes dhe prosperitetit dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Por sot ata janë më të qartë në lidhje me perspektivën e luftës sesa politikanët suedezë.
Sepse në dallim nga suedezët, finlandezët nuk kanë nevojë që t’u kujtohen se lufta mund të bëhet realitet apo se nga vjen kërcënimi. Kufiri i gjatë i Finlandës me Bashkimin Sovjetik, e ka detyruar prej kohësh atë të menaxhojë sjelljen e Rusisë në një mënyrë të ndryshme nga fqinjët e saj nordikë.
Një akt diplomatik balancues i një vendi të paangazhuar përballë një fqinji imperialist. Nën sfondin e përvojave të ndryshme historike të shekullit XX-të, por edhe traditave të ndryshme se si t’i trajtojnë popullsitë e tyre, qeveritë nordike dhe baltike synojnë sot të forcojnë gatishmërinë e përditshme të qytetarëve në mënyrat e tyre. Megjithatë ata ndajnë një perceptim të përbashkët nga vjen kërcënimi: Rusia.