Të paktën 56 persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë kanë mbetur të plagosur gjatë një përleshjeje mes tifozëvë në Guine, në Afrikën perëndimore. Trazirat shpërthyen pas një vendimi të arbitrit që shkaktoi një pushtim të fushës së lojës në ndeshjen midis N’zérékoré dhe Labé.
Sipas shtypit vendas, policia përdori gaz lotsjellës pasi tifozët e ekipit Labé, të tërbuar nga vendimet e arbitrit gjatë ndeshjes, hodhën gurë në fushë dhe pushtuan fushën, duke shkaktuar panik tek shikuesit që po tentonin të largoheshin nga stadiumi.
Një mjek, duke folur në kushte anonimiteti, tha se “ka rreth 100 të vdekur” dhe se kufomat kanë mbushur spitalin dhe morgun lokal. Mes viktimave ishin edhe disa fëmijë. Kryeministri i qeverisë së kontrolluar nga junta ushtarake i ka bërë sot thirrje popullatës për qetësi.
“Qeveria dënon incidentet që prishën ndeshjen midis Labe dhe N’Zerekore”, shkruajti në Facebook kryeministri Amadou Oury Bah, ndërsa shtoi se, “Qeveria po ndjek situatën dhe përsërit thirrjen për qetësi në mënyrë që shërbimet spitalore të trajtojnë të lënduarit”.
Koalicioni i partive politike e njohur si Aleanca Kombëtare për Alternimin dhe Demokracinë ka bërë thirrje për një hetim, duke thënë se turneu u organizua për të mbledhur mbështetje për ambiciet “ilegale dhe politike e papërshtatshme” nga udhëheqësi ushtarak Mamadi Doumbouya.
Ndeshja e futbollit kthehet në tragjedi, 56 të vdekur nga përleshjet mes tifozëve në Guine pic.twitter.com/jUGUtK86T1
— Gazeta Tema (@GazetaTema) December 2, 2024