Është mbledhur këtë të Hënë Komisioni i Monitorimit të Asamblesë së KiE-së. Në fjalën e tij në Kuvend, Ministri i Shtetit për Parlamentin Taulant Balla theksoi se SPAK e Zyra Kombëtare e Hetimit janë krijuar dhe po japin rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.
“Shqipëria ka marrë vlerësime nga grupi i shteteve kundër korrupsionit. Ne kemi bërë përpjekje të mëdha duke përgatitur plane të integritetit, së dyti fuqizimin e institucioneve në zbatim të ligjit. Është miratuar në Korrik 2024 ligji i ri për Policinë e Shtetit që synon ta ngrejë atë institucion në nivel më të lartë.”
Ai shtoi se qeveria ka punuar pa pushim për të përputhur politikat kombëtare me normat europiane.
“Zgjerimi dhe rritja e integritetit institucional dhe mekanizmave të pavarur mbikëqyrës, reforma në administratën publike për rritjen e transparencës, janë marrë masa legjislative që trajtojnë diskriminimin, barazinë gjinore dhe të drejtat e minoriteteve. Vizioni ynë që Shqipëria 2030 të jetë anëtare me të drejta të plota e BE-së është përkthyer në plane pune, detyra, afate kohore për çdo institucion. Parlamenti ka një rol të pazëvendësueshëm në këtë ambicie historike.”
Sipas Ballës, mbi 50% e rekomandimeve të Komisionit Europian kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit.
“Janë 761 rekomandime nga Komisioni Europian, 390 prej tyre kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. 548 masa, 77 prej të cilave janë për luftën kundër korrupsionit, ku janë 32 institucione të pavarura të cilat duhet të zbatojnë këto masa.”
/a.r