Vendi u përfshi nga mot me temperatura të ulëta në fundjavë që sollën reshje të dendura dëbore në veri e juglindje të vendit. E ndonëse kushtet e motit janë përmirësuar këtë të hënë, sërish në qarkun e Shkodrës dëbora dhe rënia e gurëve në rrugë kanë shkaktuar një sërë problemesh.
Bëhet me dije se mungon energjia elektrike në njësitë administrative Shosh dhe Shalë, ndërsa aksi rrugor Prekal – Kir është i bllokuar.
Në Bashkinë Malësi e Madhe, segmenti rrugor Muriq – Nikç, njësia administrative Kelmend, është i pakalueshëm si pasojë e rënies së gurëve, ndërsa në njësinë administrative Hajmel të Vaut të Dejës mungon energjia elektrike.
Në Fushë Arrëz vijon puna për hapjen dhe pastrimin e rrugëve rurale, teksa në njësinë administrative Iballë ka ndërprerje të energjisë elektrike.
Në Pukë bëhet me dije se ka ndërprerje të energjisë në fshatin Kuzhnen.
/a.r