Presidenti në ikje, Joe Biden ka falur djalin e tij Hunter Biden, duke i dhënë fund kështu akuzave për armë dhe taksa.
Në një deklaratë të gjatë mbrëmjen e djeshme (1 dhjetor), Biden deklaroi se djali i tij u trajtua ndryshe dhe se akuzat erdhën prej kundërshtarëve të tij në Kongres.
“Është e qartë se Hunter u trajtua ndryshe, akuzat në këtë rast erdhën vetëm pasi disa nga kundërshtarët e mi politikë në Kongres i nxitën ata të më sulmonin dhe të kundërshtonin zgjedhjen time. Asnjë person i arsyeshëm që shikon faktet e rasteve të Hunterit nuk mund të arrijë në ndonjë përfundim tjetër përveç se Hunter u veçua vetëm sepse ai është djali im – dhe kjo është e gabuar. Ka pasur një përpjekje për të thyer Hunterin – i cili ka qenë pesë vjet e gjysmë i matur, edhe përballë sulmeve të pandërprera dhe ndjekjes selektive. Në përpjekjen për të thyer Hunterin, ata janë përpjekur të më thyejnë mua – dhe nuk ka asnjë arsye për të besuar se do të ndalet këtu. Mjaft është mjaft.”, deklaroi Biden.
Vendimi shënon një ndryshim për presidentin, i cili kishte thënë në mënyrë të përsëritur se nuk do të përdorte autoritetin e tij ekzekutiv për të falur djalin e tij ose për t’i zbutur dënimin.
Hunter Biden ishte planifikuar të dënohej për akuzat federale për armë në 12 dhjetor dhë katër ditë më pas edhe për çështjen tatimore.
Hunter Biden u shpall fajtor në Delaware në qershor për tre akuza penale në lidhje me blerjen e një pistolete në vitin 2018. Ai kishte shkruar në formularin e tij të blerjes së armës, në mënyrë të rreme, se nuk ishte përdorues i drogave të paligjshme.
Ai u deklarua fajtor për nëntë akuza tatimore federale në Los Anxhelos në shtator, duke zgjedhur një pranim “të hapur”, ku një i pandehur pranon fajësinë për akuzat dhe ia lë fatin e dënimit në duart e gjyqtarit.
/a.r