Steve Hydes, i cili ishte braktisur 30 vjet më parë në tualetin e femrave, në aeroportin Gatwick, ka shkruar një letër publike, që ka prekur zemrat e njerëzve kudo në botë. Ai ka një kërkesë fare të thjeshtë – që të lajmërohen prindërit e tij, në mënyrë që të zbulojë se kush është ai në të vërtetë.
Steve ishte gjetur 30 vjet më parë, i pastër dhe i mbështjellë në një batanije, nga një punëtore e aeroportit Gatwick, në Londër të Anglisë. Dhe pasi që ishte një bebe pa identitet, atë fillimisht e quajtën Gary Gatwick, sipas ariut pelush – maskotës së aeroportit.
Përkundër raporteve të shumta mediale në atë kohë, por dhe më vonë, prindërit e tij nuk u gjetën dhe nuk u lajmëruan asnjëherë.
Ai vetëm dëshiron të kuptojë historinë e tij. Kush është në të vërtetë dhe përse ishte braktisur asisoj? “… dua të di se përse ndodhi. Unë kam një hapësirë boshe, të cilën nuk e kanë njerëzit tjerë”, thotë Steve.
Steve ballafaqohet me probleme të shumta në jetë për shkak të indentitetit të panjohur. Psh. ai nuk mund t’u thotë asgjë doktorëve kur e pyesin për historikun e sëmundjeve në familjen e tij, raporton SkyNews.
“Vetëm dua të di se çfarë ka ndodhur – do të kompletohesha si person”, thotë ai.
Steve është duke u ndihmuar nga një organizatë që merret me familjet e humbura. Nëpërmjet ADN-së tashmë janë gjetur dy persona që mund të jenë në lidhje gjaku me të – megjithatë, ata ende nuk janë lajmëruar.
Në fakt, ata nuk janë futur që sa kohë në llogaritë e tyre online, për të lexuar mesazhet që u janë lënë aty nga punëtorët e kësaj organizate.
Steve thotë se prindërit e tij nuk do të duhej të frikësoheshin ta kontaktonin atë, sepse ai nuk mban mëri ndaj tyre. Madje, ai është i vetëdijshëm se ata mund të kenë familje tjetër tashmë, dhe nuk dëshiron t’ua shkatërroj atë.
“Nuk dua që ata të frikësohen, unë nuk jam një person idhnak dhe nuk e bëj këtë gjë për shkak të mërisë”, ka shtuar Steve.
Pasi kishte kaluar një kohë në jetimore, Steve ishte adoptuar nga një familje, dhe thotë të ketë pasur një fëmijëri të lumtur bashkë me tri motrat e tij.
Megjithatë, ai shpreson që kërkesa e tij publike më në fund do të mund t’i jepte përgjigjje në pyetjen e cila e mundon që 30 vjet me radhë.
Steve sot është i martuar dhe është baba i dy fëmijëve.