Një dezertor nga Rusia rrëfen për BBC sekretet bërthamore të Vladimir Putin. Media britanike mbron identitetin e tij duke e quajtur me një emër të rremë, Anton, i cili thotë se që prej ditës së parë të luftës në Ukrainë, baza me armët bërthamore, ku ai shërbente në Rusi, ishte vendosur në gatishmëri të plotë për luftim.
“Më përpara ne kemi zhvilluar vetëm stërvitje. Por ditën që nisi lufta, armët ishin plotësisht në platformat e lëshimit. Ne ishim gati për të lëshuar armët në det dhe ajër, pra të kryenim një sulm bërthamor”, thotë dezertor nga Rusia.
“Anton” ishte një oficer në bazën tepër sekrete të Rusisë për armët bërthamore. Për këtë, i tregoi BBC dokumentet që provonin se ka shërbyer në strukturë, por media thekson se nuk ka mundur që të konfirmojë vërtetësinë e të gjitha deklaratave të tij. Megjithatë presidenti rus, Vladimir Putin, pasi futi ushtrinë në Ukrainë, njoftoi në shkurt të vitit 2022 se ka vendosur forcat parandaluese bërthamore të vendit në “gatishmëri luftarake speciale”. Dezertori rrëfen dhe jetën brenda bunkerit bërthamor dhe rutinën tepër sekrete të punës.
“Ka një proces përzgjedhjeje tepër strikt. Të gjithë janë ushtarë profesionistë. Ka kontrolle të vazhdueshme me detektorë gënjeshtrash për të gjithë. Paga është shumë e lartë dhe ushtarët nuk dërgohen në luftë. Ata bëjnë të mundur parandalimin ose kryerjen e një sulmi bërthamor”, thotë dezertori.
Ai tregon se detyra e tij ishte që të garantonte që asnjëri prej ushtarëve poshtë tij të mos kishin celularë në bazën bërthamore. “Kishim stërvitje të vazhdueshme. Koha jonë e reagimit ishte vetëm 2 minuta”, thekson me krenari.
Rusia ka rreth 4380 koka bërthamore operacionale, sipas Federatës Amerikane të Shkencëtarëve, por vetëm 1700 janë gati për përdorim. Të gjitha vendet anëtare të NATO-s së bashku kanë thuajse aq koka atomike. Frika është që Putini, pasi ndryshoi doktrinën për përdorimin e armëve bërthamore, mund të lëshojë disa raketa të vogla me koka atomike që nuk shkaktojnë nivele të larta rrezatimi radioaktiv, por mjaftueshëm për të provokuar nervat e perëndimit. Dezertori rus “Anton”, i cili u largua nga vendi pasi refuzoi të shpërndante propagandën e shtetit, këshillon që të mos merret lehtë arsenali rus bërthamor, pasi është modernizuar dhe mirëmbahet çdo minutë.
/a.r