Një plan i ri i quajtur “Divizion” synon t’i japë tjetër dimension Bulqizës. Një territor prej 10 hektarësh në Bulqizë, një zonë e degraduar dikur ushtarake, do të investohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe që pritet të shndërrohet në një destinacion turistik.
Projekti i quajtur Parku Tematik Retro u prezantua nga Kryeministri Edi Rama dhe zv/Kryeministrja Belinda Balluku.
Kreu i qeverisë tha se ky projekt do të rrisë ekonominë e zonës dhe do të transformojë territorin përmes një game të gjerë aktivitetesh, përfshirë edhe hoteleri.
“Projekti është shumë i vecçntë në llojin e vetë sepse jo vetëm do bëjë transformimin e një territori që deri në fillim të viteve 2000 i ka përkitur ushtrisë shqiptare, dhe që sot është një shëmbëlltyrë e degradimit, por do të krijojë një destinacion turistik të një lloji të veçantë ku Fondi i Zhvillimit jo vetëm do ndërtojë gjithë këtë infrastrukturë nga një sipërfaqe 10 hektarë, por edhe do krijojë kushtet për të mikëpritur në këtë infrastrukturë artizanët e zonës, gra të cilat sot janë shembëlltyra të përpjekjes për të jetuar më punë të ndershme përmes kultivimit të traditës ushqimore të kësaj zone, të traditës artizanale të kësaj zone jo vetëm sa i përket përgatitjes së produkteve karakteristike të zonës, por edhe të produkteve që janë kaq të rëndësishme për të ruajtur traditën por edhe promovuar turizmin. Do mikëpresë po ashtu edhe ata të cilët kultivojnë apo përpunojnë produkte qoftë fermerët e tokave të punuara të zonës, qoftë edhe grumbulluesit dhe përpunuesit e bimëve medicinale, do të mikëpresë po ashtu familjet, më të rinjtë, gjyshërit dhe fëmijët. Dhe patjetër duke pasur dhe një strukturë hoteliere që Fondi Shqiptar i Zhvillimit do ta menaxhojë së bashku me gratë e zonës do mikëpresë udhëtarët vendas që kalojnë përmes kësaj zone apo dhe turistë të huaj që ne shohim me shumë kënaqësi po rriten në mënyrë befasuese në numër vit pas viti në këtë qark ku deri dje kur flisje për turizëm të shikonin shtrembër sikur po talleshe. Sot mund të flasësh për turizëm dhe askush nuk çuditet më”.
Rruga e Arbrit do të shkurtojë ndjeshëm distancën drejt Bulqizës dhe për familjet e kryeqytetit për të kaluar fundjavën në këtë zonë.
“Rruga e Arbrit që në njëfarë mënyre pati dhe një marrje mësysh me tunelin e Murrizit, por nga marrja mësysh rruga do të dalë shumë më e fortë sepse ai tunel që na shfaqi gjithë pengesa gjeologjike po shkon drejt përfundimit, i ka dhënë gjithë zonës kjo rrugë mundësinë që tanimë jo thjesht ta ëndërrojnë por përjetojë të qenit jastëk i gjelbër i metropolit. Me përfundimin e tunelit dhe me çlirimin e të gjithë segmentit lidhës mes Tiranës dhe Dibrës, Dibra nuk është asgjë më shumë dhe më pak se sa periferia e gjelbër e kryeqytetit të Shqipërisë. Të gjithë po e shohin se si Dibra po bëhet vendi ku nuk është më absolutisht një aventurë, është një investim i arsyeshëm të vendosësh kursimet për agroturizmin, për turizmin, për prodhimin, agropërpunimin sepse gjithmonë e më shumë Dibra do jetë referencë jo vetëm për turistët e huaj por dhe banorët e kryeqytetit”.
Kryeministri theksoi se ky park i ri do të jetë rreth 35 minuta larg nga Tirana dhe pritet të përfundojë pas rreth 2 vitesh.
“Ky Park Tematik që po nisim të ndërtojmë do jetë shumë afër Tiranës, 35 minuta, dhe do jetë një nga zgjedhjet e fundjavës për shumë familje në Tiranë për të ardhur këtu, për të sjellë fëmijët këtu. Në këtë park do të ketë shumë mundësi origjinale për fëmijët për t’u argëtuar në mes të natyrës. Ky park do jetë motor i ri ekonomie për Bulqizën. Prej vitesh nuk dëgjojmë më për vdekje nga pasiguria totale në punë. Nuk dëgjojmë më për skllavërim të imponuar nga varfëria të fëmijëve të vegjël për mbledhjen e kromit. Edhe në miniera është vendosur një standard i ri dhe nga puna në miniera ata që vazhdojnë të kalojnë ditët e punës nën tokë pagat janë ku e ku më të larta se sa lëmoshat e deri djeshme. Ka ardhur koha që ky identifikim i Bulqizës me vetëm minierat, me vetëm kromin, do të diversifikohet në identifikim edhe me mrekullitë e natyrës rreth e rrotull, përtej perimetrit të ngushtë të një qyteti të ndërtuar enkas për të mbështetur industrinë minerare të kohës së komunizmit. Në një hark rreth 2 vitesh këtu do të jetë një destinacion ku do të hyjnë e do të dalin me mijëra vetë në muaj të cilët do të ndalojnë kalimthi dhe do lënë këtu para apo do qëndrojnë për të shfrytëzuar hotelerinë dhe eksploruar rreth e rrotull”, theksoi Kryeministri Edi Rama.
/a.r