Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani ka njoftuar se po diskutohet mundësia e përshpejtimit të zbatimit të rritjes së moshës së pensionit, por jo përtej moshës 67 vjeç.
Sipas reformës së vitit 2014 është parashikuar që në vitin 2056 të ketë barazim të moshës së daljes në pension për burrat e gratë, që do të jetë 67 vjeç.
E thirrur në seancën dëgjimore ku diskutohet pr/buxheti i vitit 2025 në Komisionin e Ekonomisë, Manjani tha se Banka Botërore kishte propozuar rritjen e moshës së pensioneve por kjo është kundërshtuar.
“Një ndër propozimet e Bankës Botërore ka të bëjë me propozimin për rritjen e moshës së pensionit, por e kemi kundërshtuar. Pasi rritja e pensionit është marrë parasysh në reformën e vitit 2014, ku aktualisht ka nisur rritja e moshës së pensionit për gratë. Do të fillojë rritja e moshës së pensionit për burrat në vitin 2032 dhe në vitin 2056 është parashikuar që të ketë barazim të moshës së daljes në pension për burrat e gratë, që do të jetë 67 vjeç. Mund të diskutojmë një përshpejtim të zbatimit të rritjes së moshës së pensionit por jo një rritje në vetvete përtej moshës 67 vjeç”, tha Manjani.
/a.r