Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij, Martin Përlleshaj.
Kreu i qeverisë tha se vrasja e 14-vjeçarit ka tronditur të madh e të vogël dhe bëri me dije se garantimi i sigurisë së fëmijëve është prioritet.
Duke theksuar rrezikun që vjen nga presionin i rrjeteve sociale, Rama tha se qeveria do të hedhë për diskutim të gjerë me prindërit, mbylljen e plotë të “Tik Tok” dhe të “Snapchat” në territorin e Republikës.
Rama: Prej tre ditësh i madh e i vogël është tronditur nga vrasja makabër e një nxënësi 14 vjecar. E gjithë dinamika nxjerr në pah kërcënimin permanent ku “Tik Tok” apo “Snapchat” thithin përditë fëmijët që në moshat më të vogla.
Autoriteti i prindërve dhe mësuesve si dhe të gjitha përpjekjet tona në familje apo në shkollë për edukimin e fëmijëve sfidohen orë e çast nga bota paralalele e këtyre rrjeteve ku nuk ka asnjë filtër, e deri shëndeti mendor vihen në pikëpyetje. Janë të vërteta që nuk është e vështirë të biem dakord.
Garantimi i sigurisë së fëmijëve është përparësia e përparësive tona. Shumë shtete po përpiqen të vendosin filtra mbrojtjës, por pa rezultat. Jemi angazhuar në hulumtimin e kësaj problematike. Australia e Franca po diskuton vendosjen si kusht aprovimin e prindërve për hapjen e një llogarie online të fëmijëve. Por tej këtyre përpjekjeve, problemi ende i hapur mbetet mungesa e një sistemi të zbatimit të tyre.
Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave, kur në fakt efektiviteti i tyre është i ulët ndërsa stimujt e dhunës dhe bullizmit vetëm rriten, apo të ndërmarrim një masë drastike, për mbylljen e plotë të tik tok dhe snap chat. Do e hedhim për diskutim të gjerë me prindërit.
/a.r