Në seancën ku do të diskutohet projektbuxheti i vitit 2025, në fjalën e kryeministrit Edi Rama peshën kryesore e ka marrë bonusi për pensionistët. Kreu i qeverisë u shpreh se gjatë qeverisjes socialiste kontribuuesit në fondin e sigurimeve shoqërore janë 3-fishuar. Tashmë ai theksoi se qeveria është përqendruar për të rritur të ardhurat kontributive në sektorin privat. Sipas tij, për të gjurmuar çdo rast të bizneseve po testohet një model i ri i inteligjencës artificiale që do të vendoset në punë bashkë me Microsoft.
“Ne e rivendosëm sistemin e pensioneve mbi bazën demokratike të kontributeve. Themele të reja. Rritëm me 300 mijë persona numrin e punonjësve kontribuues në fondin e sigurimeve shoqërore i cili është zgjeruar 3-fish sot. Janë të shkruara në buxhet…
Sot kemi ende rezerva domethënëse si rezultat i rritjes domethënëse të pagave edhe në sektorin privat, ku jemi përqendruar tani për të rritur të ardhurat kontributive falë edhe modernizmit të mëtejshëm të sistemit të gjurmimit dixhital të aktiviteteve të biznesit dhe një modeli të ri të inteligjencës artificiale (AI) që po testohet dhe do të futet shumë shpejt 24 orë në punë së bashku me Microsoft. Prandaj jam shumë optimist që rritja domethënëse e pensioneve do të jenë në mandatin tonë të katërt pasqyra më kuptimplotë e boshtit të ekonomisë së Shqipërisë në këto vitet të qeverisjes sonë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë e pati një përgjigje edhe për opozitarët. Sipas tij, ata flasin “përralla” dhe ose e kanë “fytyrën të zezë nga bloza e diskretitimit publik”, ose “të bardhë ngaqë nuk kanë shkelur një ditë akoma në kantierin e shtetndërtimit”. Këta individë, kreu i qeverisë i konsideron si “prurës fatkeqësie për rikthimin e këtij vendi mbrapa, në rrugën e piramidave dhe të agonisë pa shtet”.
“Çdokush që rreket ti tundojë sot pensionistët me përrallat e Sudes dhe Rrapushit për t’i ngjitur pensionet në majën e dëshiruar mes hpejtësinë e qilimit fluturues, pavarësisht nëse e ka fytyrën plotësisht të zezë nga bloza e diskretitimit publik, apo e ka të bardhë ngaqë nuk ka shkelur një ditë akoma në kantierin e shtetndërtimit, është vetëm një prurës fatkeqësie për rikthimin e këtij vendi mbrapa, në rrugën e piramidave dhe të agonisë pa shtet. Deri këtu ne kemi bërë për pensionistët jo gjithçka kemi dashur, por gjithçka kemi mundur. Tani që ekonomia në rritje po krijon mundësi në rritje do të bëjmë më tej për ta, çka askush jo vetëm nuk e bën dot, por ja ku e keni, as nuk e ka haberin se si bëhet”, u shpreh Rama.
/a.r