Domosdoshmëria për të ruajtur kapitalin njerëzor, si dhe për të rritur fuqinë e kësaj pasurie në ekonomi ka bërë që qeveria shqiptare të vendosë që nxënësit, të cilët ndjekin arsimit profesional dual të paguhen sa 30% e pagës minimale për periudhën që ata kalojnë në praktikë.
Më konkretisht, me pagën minimale sot 40 mijë Lekë, nxënësit automatikisht paguhen me rreth 12 mijë Lekë në muaj.
Sistemi i arsimit profesional dual kombinon mësimin teorik në shkollë me praktikën në biznese dhe institucione. Më herët, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shpenzimet e bëra nga bizneset në kuadër të pagesës së nxënësve do të konsiderohen shpenzime të zbritshme nga taksat.
“Pagesa për nxënësin që mëson profesionin, deri në moshën 25 vjeç, nuk përllogaritet si e ardhur e familjes.”
Në vendimin e publikuar në fletoren zyrtare, përcaktohet se bizneset do duhet të përcaktojnë një anëtar të stafit si mentor, i cili mund të udhëheqë deri në 5 nxënës që mësojnë profesionin. Në shkollat profesionale ne të gjithë vendin ka më shumë se 15 mijë nxënës.