Lista me 12 emra dhe pikëzimet e secilit prej tyre që Policia e Shtetit publikoi zyrtarisht për kandidatët që kanë garuar për drejtorë policie në qarqe, pritet të sjellë impulse të reja brenda radhëve të uniformave blu. Kjo pasi në këtë listë, ajo që vihet re është fakti se 12 drejtorët aktualë nuk i përkasin listës me 12 emrat e parë, por mbizotërojnë emrat e rinj.
Listën e kryeson drejtori aktual i Operacionales, Vilson Balla, i cili gjatë intervistimit me gojë mundi të grumbullojë në total 91 pikë. Emri i tij, mësohet të jetë më i lakuari deri më tani, për tu emëruar në krye të Policisë së Tiranës, shkruan A2 CNN.
Qarku i Shkodrës, një ndër më të nxehtët për shkak të përplasjes mes grupeve rivale, pritet t’i besohet Gentjan Berverit. Durrësi Fatmir Lleshajt, Elbasani Altin Menës, që më herët garoi për drejtor të përgjithëm.
Në pikëzimin e renditjes së listës me 38 emra zyrtarësh kandidatë për drejtues policie, bie në sy pikëzimi i ulët i drejtuesve aktualë. E konkretisht, emiri i Tonin Vocajt, aktualisht drejtor i policisë së Tiranës, Gjovalin Loka, drejtues aktual në qarkun e Korçës, drejtori i Vlorës, Ermal Muça, Skënder Hita në Durrës, Alfred Elezi në Lezhë dhe Artan Bajraktari në Kukës.
Por, pavarësisht këtyre pikëzimeve, pritet për t’u parë nësë emërimet në qarqe që do të bëjë drejtori i përgjithëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, do të ketë apo jo surpriza. Kjo për faktin se të gjithë kandidatët që kanë marrë pikë të ulëta gjatë intervistimit, kanë afat të hënën dhe të martën për të bërë ankimimet e tyre pranë komisionit të vlerësimit të aplikantëve.
Me hapjen e garës për drejtues policie në qarqe, proces ky që nuk ka ndodhur më herët në radhët e uniformave blu, shfaqën interes në total 43 zyrtarë policie që kanë gradën drejtues.
Gjatë fazës së parë u skualifikua një prej tyre, Edvin Ndreu, aktualisht shef i komisariatit 6 në Tiranë. Ndreu mëhohet se ka fituar gradën drejtues me konkurs por ende nuk i është akorduar nga kryepolici Ilir Proda.
Nga gara më pas u tërhoq Ardjan Çipa, ndërsa tre aplikantë të tjerë nuk u paraqitën gjatë intervistimit me gojë.