Nga Ben Andoni
Në mesditën e të martës në Kosovë pritet që të hyjë Vojisllav Sheshelj. Lideri i radikalëve serbë ka një mandat arresti prej autoritetit kosovar, që nëse prek territorin shqiptar të arrestohet menjëherë. Në këtë logjikë, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë një vendim, i cili u është drejtuar të gjithë komandantëve dhe shefave operativë në stacionet policore të veriut në Mitrovicë. Besim Hoti, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës, u ka kërkuar drejtuesve policorë në veri se duhet ta zbatojnë në mënyrë strikte urdhrin e MPB-së për t’ia ndaluar hyrjen Sheshelit në Kosovë! Ky është aspekti zyrtar, që i shtohet referimi i medias serbe, ku konfirmohet se Sheshelj do të jetë në Kosovë. Praktikisht ka disa rrugë tokësore për t’u futur në Mitrovicën e Veriut, atje ku bëhet tubimi dhe në rast se Sheshelj do të afrohet, thuhet se pikërisht do të shfrytëzojë njërën prej tyre syresh. Dhe, paçka premtimeve për arrestin e tij, Kosova e ka të pamundur që të ndalë ekspansionin turistik zgjedhor të serbëve, qoftë edhe të Sheshelj, në rrugët “dytësore”. Këto rrugë dhe kanale nuk i prek askush në Kosovë prej MPB-së, ndërsa Serbia është e motivuar t’i ushqejë me të gjitha mjetet. Ato mbajnë gjallë sot edhe veprimtarinë e strukturave paralele serbe në Kosovë.
Ndërkohë, nëse do ekzistonte serioziteti i duhur, premtimet për arrestin e tij nuk duhej t’i bënte z.Selimi, i sapongarkuar me detyrën e Ministrit të Jashtëm, por Ministri i Brendshëm Skënder Hyseni. Por ky i fundit e di mirë se strukturat serbe janë shumë të forta dhe po vijojnë të forcohen nën dobësimin e vazhdueshëm të Kosovës. Dhe, ndodh që znj. Tahiri, po ashtu ministre e marrëdhënieve me Serbinë, ka premtuar vazhdimisht për masa apo reciprocitete ndaj serbëve që asnjëherë nuk bëhen, ashtu si zyrtarë shqiptarë, që mëtojnë gjëra, por që në fund tregojnë paq se nuk e administrojnë dot Kosovën si një të tërë. Kjo është arsyeja që nëse Sheshelj do të vij të martën, s’do të jetë ndonjë humbje e madhe për Kosovën, por rikonfirmimi se strukturat paralele serbe, ato që po e gërryejnë shtetin e ri shqiptar, nuk duan t’ia dinë fare për autoritetin e qeverisë Mustafa.
Në këtë logjikë, një vulë turpi i takon dhe Opozitës kosovare me thirrjet e vazhdueshme patetike kundra autoriteteve, pasi ky realitet që mbizotëron në Kosovë është projeksion i të gjithëve dhe tregues se shteti kosovar duhet të përballet me sfida dhe jo të fshihet pas patericave të aleatëve potencialë, që u kanë mundësuar pavarësinë.
Sheshelj mund të vijë si skuth, por kjo veç dobësisë së autoritetit kosovar, që ka këmbët e lidhura dhe prej të gjithë rrjedhimeve të pakos Ahtisari, është një dështim i madh për Brukselin dhe vetë Serbinë, që tashmë komplekset e veta po i nxjerr me Kosovën, por jo me përballjen e munguar me të shkuarën, për të cilën u duhet ende kohë ta shikojnë si duhet. Dhe, shembulli i anakronizmit serb është Daçiç që gjatë vizitës në Kosovë ka thënë se vdekja e ish-presidentit Sllobodan Millosheviç ka qenë e dhimbshme, pasi falë Millosheviçit, Serbia e ka mbajtur gjallë Kosovën!!
Ky realitet i tejkaluar e kalon tashmë vetë edhe zv/kryeministrin Daçiç, qeverinë serbe, madje edhe ministrat kosovarë dhe nuk llogaritet Sheshelj, ky është një mesazh i qartë për vizionin serb të së ardhmes. Ja pse vizita e sotme e Sheshelj nëse do ndodhë është një paralajmërim i keq i punës së bërë deri më tani nga Brukseli për paqen.