Gara për një vend në Europë pritet të jetë e ashpër midis tre pretendentëve, Kukësi, Teuta dhe Tirana. Diferenca nga vendi i 3-të në të pestin është 4 pikë, por kalendari që do të kenë skuadrat është me të vërtetë i fortë.
Duke i hedhur një sy javëve të mbetura, shikon se Kukësi, Teuta dhe Tirana do të kenë së paku përballjet direkte me njëri-tjetrin, por pa harruar edhe ato me pretendentët për titull, çka rrisin shkallën e vështirësisë.
Duke nisur që nga kjo javë ku në “Niko Dovana” do të vijë përballja direkte me Teutën që do të presë në shtëpi Kukësin, që për momentin konsiderohet si skuadra më në formë e kampionatit. Tirana do të luajë një transfertë të vështirë, në Ballsh ndaj Bylis që shpreson tek mbijetesa.
Java e 31-të do të rezervojë për Kukësin dhe Tiranën duelet me skuadrat e kreut. Verilindorët do të presin Partizanin ndërsa bardheblutë Skënderbeun. Më e lehtë do të jetë java 31 për Teutën që do të udhëtojë në Pukë për tu ndeshur me Tërbunin.
Në javën e 33 dueli direkt do të jetë midis Teutës dhe Tiranës në “Niko Dovana”, ndërsa në të njëjtën javë Kukësi do të udhëtojë në Vlorë për tu përballur me Flamurtarin që është në garë për mbijetesën. Në javën pasardhëse Tirana do të luajë derbin me Partizanin ndërsa Kukësi pret Vllazninë dhe Teuta shkon në “Adush Muça”.
Javët 34 dhe 35 duken sikur i buzëqeshin Kukësit dhe Tiranës, pasi nënkampionët kanë dy transferta në Laç dhe Pukë, ndërsa kryeqytetasit shkojnë në Vlorë dhe presin Vllazninë. Për Teutën ky dyjavësh rezervon dy sfida në shtëpi, ndaj Skënderbeut që është në garë për titull dhe Lacit.
E bukur e garës për vendin e 3 është se në javën e fundit të kampionatit do të dhurojë një finale, me Kukësin që pret Tiranën, ndërsa Teuta udhëton në kryeqytet për tu përballur me Partizanin.
Nëse enigma e titullit nuk do të jetë zgjidhur ashtu si edhe ajo e Evropës, atëherë 90 minutëshi i fundit pritet të jetë i zjarrtë në disa stadiume.
Supersport