Departamenti Amerikan i mbrojtjes ka konfirmuar faktin se mijëra trupa të Koresë së Veriut po lëviznin drejt vijës së frontit në Kurk.
Një zhvillim ky i cili ka shtyrë Kievin të kërkojë më shumë armë dhe një plan ndërkombëtar për t’i mbajtur ato trupa larg. Sipas Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, një numër i vogël ushtarësh tashmë kanë mbërritur në Kursk. Ka shenja se ato duhet të përdoren si këmbësoria kundër trupave ukrainase.
“Siç e theksuam në fillim të kësaj jave, ne besojmë se DPRK ka dërguar rreth 10,000 ushtarë gjithsej për t’u trajnuar në Rusinë lindore dhe se këto trupa ndoshta do të shtojnë forcat ruse pranë Ukrainës gjatë disa javëve të ardhshme. Një pjesë e atyre ushtarëve tashmë janë zhvendosur më afër Ukrainës drejt rajonit të Kurskut të Rusisë, afër kufirit me Ukrainën, afërsisht nja dy mijë, me një numër më të vogël tashmë të pranishëm në rajon”, tha Gjeneral Major Patrick Ryder, zëdhënës i Pentagonit.
Shqetësimin e pranisë së trupave të Phenianit në Ukrainë e shprehu edhe Presidenti i SHBA Joe Biden i cili vuri në dukje se, Ukraina duhet të sulmojë nëse trupat e Koresë së Veriut kalojnë në Ukrainë. “Jam i shqetësuar për këtë”, tha Biden kur u pyet për praninë e trupave të Koresë së Veriut në Rusi.
“Nëse kalojnë në Ukrainë, po, mund ti sulmojë” tha Biden kur u pyet nëse ukrainasit duhet të kundërpërgjigjen. Ndërkohë, nëntë persona u plagosën, disa apartamente u dogjën dhe një kopsht fëmijësh u dëmtua në sulmin e 19-të të Rusisë në kryeqytetin ukrainas këtë muaj, thanë zyrtarët në Kiev. Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi 62 dronë gjatë natës, por njësitë e mbrojtjes ajrore shkatërruan 33 prej tyre mbi Kiev dhe rajone të tjera, edhe pse 25 ishin të pagjetur.
Rënia e mbeturinave nga një dron i shkatërruar shkaktoi një zjarr në një ndërtesë apartamentesh shumëkatëshe në lagjen perëndimore të Kievit Solomianskyi dhe plagosi të paktën nëntë persona, përfshirë një vajzë 11-vjeçare, tha kryebashkiaku Vitali Klitschko në Telegram.
/a.r