Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë një koment të shkurter në Facebook mbi gjendjen ekonomike të vendit. Sipas Bashës, jo vetëm që ekonomia nuk ka njohur rritje, por treguesit flasin për një zhytje në krizë të thellë gjatë vitit 2015.
Kreu i opozitës thotë se eksportet kanë njohur ulje, po ashtu edhe importet që sipas tij tregojnë fuqinë e dobësuar blerëse. Sipas Bashës sukseset për të cilat flet kreu i qeverisë janë personale të tij, me para të bëra nga korrupsioni.
Ja postimi i Bashës:
Vetëm Borati do të kishte kurajon të fliste për suksese të ekonomisë shqiptare. Por ja që kemi liderin global që e quan sukses faktin se sipas Bankës Botërore, 46.2% e familjeve shqiptare jetojnë me 5 dollarë në ditë, pra janë të varfra. Se konsumi ra 2.3% gjatë vitit 2015 dhe po kështu fuqia blerëse e shqiptarëve. Se papunësia u rrit edhe në tremujorin e fundit. Se në 2015 eksportet ranë 4.9%, importet ranë 1.4%. Se kreditimi në dhjetor 2015 ra 2.3%. Se qeveria nuk mblodhi por vodhi 400 milionë dollarë taksa dhe aksiza në vitin 2015. Se e rriti borxhin në 72.2% për palma, fasada dhe Jaguarë.
Kjo është kriza e ekonomisë shqiptare dhe e cdo familje të vendit. Por Borati jeton në sukseset e tij personale që janë qindra milionë euro për vete, që janë vilat, luksi e parajsat fiskale.
Nuk ka përmirësim por vetëm përkeqësim me këtë qeveri. Dalja nga kriza dhe një ekonomi e fortë që prodhon, punëson dhe pasuron shqiptarët vjen përmes programit të PD: Taksa të ulëta, liri ekonomike dhe luftë krimit e korrupsionit qeveritar.