Neritan Sejamini, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për arrestimin e Ilir Metës dhe SPAK-un.
Sejamini tha se SPAK ka bërë hetime të cilat më parë kanë qenë të paimagjinueshme dhe se duhet bërë presion që të vijojë dhe të shkojë më lartë, duke hetuar mazhorancën.
“Ne kemi pritur nga SPAK të bëjë drejtësi dhe të pastrojë politikën nga elita e vjetër, kemi pritur të luftojë i vetëm korrupsioni dhe ishim të papërgatitur për të kuptuar që SPAK nuk e ka këtë detyrë, por kemi mëshuar që të zgjidhë SPAK problemet e Shqipërisë. Kur SPAK merr të pandehur diskutojmë sepse dukja është më ndryshe. Diskutimi që kemi sot është i pashmangshëm. E vërteta mund të jetë diku në mes.
A janë hetimet të motivuara politikisht? Besoj se po. Në rastin e Berishës e ka çuar Balla denoncimin në SPAK. A ka dashur SPAK të kërkojë gjëra me lupë për Metën dhe Berishën? Patjetër. Po more një dosje dhe shikon gjithë kohën patjetër do të gjesh diçka.
Ne do t’i gjykojmë në mënyrë krahasimore apo në vetëvete? Duhet të shohim çështjet apo do të gjykojmë që meqë janë drejtues të opozitës, merr vlerë tjetër.
Çfarë do të bëjmë ne tani, do të gjykojmë SPAK-un apo SPAK meqë bëri çfarë bëri, ti bëjme presion që të vazhdojë më tej? Reforma në drejtësi, kam patur shpresë që ka bërë disa hapa, por do ti bëjmë presion ta vazhdojë, të shkojë te Veliaj dhe Rama. Apo ta dënojmë SPAK? Të shpallim vdekjen e reformës në drejtësi? Jemi në pozitë të vështirë.
SPAK ka bërë hapa që kanë qenë të paimagjinueshme më parë. Kemi ministra, kryetarë bashkishë, që nuk janë më. Kemi temën e krimit në zgjedhje dhe SPAK po e heton.
SPAK sot ka hapur një çështje që nuk e imagjinonim, grupet kriminale kanë vendosur në listën e Durrësit, të tretin pas Edi Ramës njeriun e tyre (Çyrben).
Peshqit e mëdhenj janë Rama, Berisha, Meta, Veliaj, disa biznesmenë të mëdhenj. Nuk duhet të prekemi nga fakti që po hetohen por të hetohen në mënyrë të ndershme, të jenë të balancuar dhe të respektojnë të drejtat dhe dinjitetin e tyre”, tha Sejamini.