Qeveria Meloni po punon për hartimin e një dekret ligji për listimin e shteteve të sigurta që do të miratohet në mbledhjen e të hënës për të zgjidhur çështjen e azilkërkuesve afrikanë që do të vijojnë të dërgohen drejt Shqipërisë. Deri tani lista është përditësuar çdo vit nga ana e Ministrit të Punëve të Jashtme në bashkëpunim me atë të Brendshme dhe të Drejtësisë.
Reagimi i qeverisë nuk do të jetë vetëm miratimi i dekret ligjit i cili ka të bëjë me treguesin e vendeve të sigurta, por edhe një rishikim i mekanizmave të apelimit të shqyrtimit të kërkesave për azil.
Përplasja me togat e zeza dhe opozitën për kthimin e azilkërkuesve të parë në Itali vijon me zëvendëskryeministrin Matteo Salvini që pyet publikisht nëse njëri prej tyre kryen një krim nesër, një përdhunim, a paguan magjistrati që e ktheu në Itali?
Burime qeveritare në Romë sigurojnë se nuk është planifikuar asnjë pezullim i operacionit për transportin e emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe drejt portit të Shëngjinit. Koha e zbarkimit të radhës të azilkërkuesve me një anije tjetër ushtarake italiane me emigrantë në bord, nënvizohet se do të varet edhe nga kushtet e detit në ditët në vijim.
Në këto orë sulmesh nga kundërshtarët politikë për rastin e azilkërkuesve afrikanë të dërguar në kampet e ngritura në Shqipëri kryeministres Meloni i është gjendur në krah shefi i Teslas Elon Musk. Ai e ka konsideruar vendimin e gjykatësve të Romës si çmenduri, absurd, dhe te pakuptimtë. Sipas Musk mbrojtja e kufijve të një kombi nuk duhet të jetë krim.
Papa Francesco ka apeluar që të mos ju mbyllet dera azilkërkuesve. Zoti e do shumë mërgimtarin, kujdeset për të ndaj ai duhet të mirëpritet, të shoqërohet, të promovohet dhe të integrohet tha ati i shenjte përpara mijëra besimtarëve të mbledhur në Vatikan.