Nga Artur Ajazi
Berisha e ka tepër të pamundur të zbresë nga podi i pushtetit. Por e paska të vështirë të zbresë, edhe nga posti i kryetarit të partisë. Edhe kur humbi zgjedhjet në 2013, dhe “stafetën” ja dha Lul Bashës, natyrisht “hija” dhe fjala e tij ishin në çdo veprim, shkresë, reagim, dhe lëvizje që bënte krejt partia. Nuk mund të mendohej se, Lul Basha mund të bënte “me kokën e tij” deklarata shtypi, apo dhe lëvizje të tjera që lidheshin me reagimet si kryetar partie, pa marrë më parë “izën” nga Berisha.
Rikthimin e tij në krye të Partisë Demokratike e prisnin të gjithë në fakt. Kjo pasi thonin se “ku është dhe ku flet Basha, është Berisha”. Dhe dita i erdhi. Mjaftoi vetëm njoftimi i DASH-it për shpalljen “non-grata”, që Berisha të niste me urgjencë rikthimin në krye të partisë. I dukej sikur kishte zbritur nga “kali”, dhe kjo ishte padrejtësi. Përveç faktit se, rikthimi i duhej patjetër pasi duhej të forconte pozitat pas shpalljes “non-grata”, marrja e postit të kryetarit me pahir, do ti stabilizonte Berishës imazhin e humbur.
Shpallja “non-grata”, dhe mospasja e partisë me vehte, do të ishin përfundimisht njollosja më e madhe e tij. Ndaj rikthimi (pra hipja sërish në kalë) si kryetar partie, vendosi përjetësisht fatin e tij. Duke e ndjerë rrezikun nga organet e reja të drejtësisë, si dhe prishja me amerikanët (pasi u doli kundër hapur fare) natyrisht që duhej të shoqerohej me veprime të tjera, aspak të hijshme për një politikan karriere, me vjetërsi mbi 30 vjeçare në atë fushë. Pasi u rikthye dhunshëm në krye të PD-së, pasi mori me vehte shpurën e vjetër të asaj partie, dhe pasi lujti gjithë makinacionet e duhura derisa mori vulën dhe selinë, tanimë Berisha u rehatua përfundimisht në “kalin” e tij.
Partia Demokratike, ka qenë dhe është derisa të rrojë, prona e tij. Dhe askush nuk mundet t’ja marrë, “të paktën me votën e lirë” siç thotë vetë ai. Por lind pyetja. A mjafton qëndrimi i tij si kryetar partie, që PD-ja të rikthehet në pushtet ? A janë sot kushtet e favorshme, që Berisha të përmbushë detyrimin moral që ka ndaj demokratëve për ti shpënë ata drejt fitores ? Natyrisht me kushtet dhe me qëndrimet e reja, që kanë ardhur nga ndërkombëtarët pas shpalljes “non-grata”, apo dhe procesit hetimor ndaj tij nga SPAK-u, qëndrimi si kryetar partie, po i sjell PD-së telashe të mëdha.
Edhe pse të vetët, mundohen ta mbajnë dhe proklamojnë liderin si “i burgosur politik”, edhe pse Berisha po u flet nga ballkoni prej 9 muajsh ithtarëve se “ne do të fitojmë, ju jeni qëndrestarë, o sot o kurrë ”, duket se asgjë nuk është ashtu siç duket. Brenda asaj partie, ka plot zëra që thonë hapur se “Berisha duhej të ishte tërhequr për të mirën e PD-së”, por duket se Doktori e ka vendosur fatin e tij.
Kryetar partie deri në fund. Dhe për këtë, ai është i gatshëm të flakë nga partia të rinjtë, rrebelët, apo dhe ndonjë që dikur e kishte “mik”. Berisha e ka të qartë se, pushtetin nuk e merr kurrë duke patur përballë një PS, që konkurron me arritje, suksese, punë, dhe mbështetje të madhe nga ndërkombëtarët.
Ashtu siç e di fare mirë se, Edi Rama si kryeministër, ka patur rritje të popullaritetit në të gjitha sondazhet , edhe pse ka 2-3 vjet që sulmohet nga Berisha. Ndaj për këto dhe shumë e shumë gjëra të tjera, apo dhe për ti shërbyer sado pak asaj partie në kushtet e krijuara, “zbrit nga kali” Doktor, hapi rrugën të rinjve në atë parti.