Këtë të diel Partia Demokratike përmes Sekretares për marëdhëniet me publikun Grida Duma, ka hedhur akuza drejt Kryeministrit Rama, në lidhje me referendumin e djeshëm në PS.
Duma tha se zgjedhjet e djeshme ishin një shembull i qartë për raportin e Ramës me lirinë e votës.
“Gangsterët e të fortët e Edi Ramës që kontrollojnë qendrat e votimit, ishin dje në krye të detyrës dhe tanimë ata janë promovuar nga Edi Rama pasi u ka besuar drejtimin e partisë. Presioni ndaj administratës ishte skandaloz pasi jo vetëm u monitoruan me lista kush votonte, por u thirrën dhe u kërcënuan të gjithë nëpunësit që nuk patën ndërmend të votonin. Manipulimi nisi me listat që në fillim, të cilat u krehën dhe u sistemuan, që të ishin aty vetëm besnikët e Edi Ramës. Manipulimi vazhdoi me shpalljen e rreme të pjesmarrjes, duke zmadhuar shifra sipas hesapit të Ramës, pasi askush nuk pati akses të verifikonte saktësinë e tyre. Vota u ble nga oligarkët milionerë të Ramës, deputetët biznesmenë dhe kryetarët e bashkive u hodhën në aksion që me zgjedhjen e delegatëve e deri dje pasdite vonë. Të gjithë të inkriminuarit u bashkuan rreth kauzës, për ti siguruar kumbarit Rama sundimin e partisë pa garë e pa zgjedhje.”- tha Duma
Më tutje, Grid Duma tha se manipulimet, blerjet e kërcënimet e ditës së djeshme në zgjedhjet e referendumit, janë një këmbanë alarmi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit të ardhshëm.
“Dhunimi i votës dje, tregon raportin që ky njeri ka me zgjedhjet, të vetmin raport që ka me votën, që është blerja, manipulimi, dhunimi. Kjo është një kambanë alarmi për zgjedhjet që po vijnë pasi është e qartë se Edi Rama ka vetëm një projekt, shkatërrimin e tyre. Ndaj Partia Demokratike është e vendosur së bashku me qytetarët dhe me partnerët ndërkombëtarë të mos lejojë për asnjë moment që skemat e Edi Ramës kundër votes së lirë të zbatohen në zgjedhjet që po vijnë. Vota e lirë, zgjedhjet e lira e të ndershme janë fundi i tij. Një fund që ai nuk ka për ta ndalur dot sado të përpiqet.”- përfundoi Duma.