Partia greke PASOK vendosi të dielën t’ia lërë edhe një herë në dorë drejtimin politik Nikos Andrulakisit (o. Androulakis).
45-vjeçari mori 59,9 për qind të votave të hedhura nga mbi 213 mijë anëtarët e partisë, ndjekur nga rivali i tij, kryebashkiaku i Athinës, Haris Dukas (o. Doukas) me 40,1 për qind.
“Sot nuk ka fitues apo humbës. Kohët e vështira për PASOK-un i kemi lënë pas dhe kohë më të mira na presin. Do bëj gjithçka do të jetë në fuqinë time për t’i dhënë fund dominancës së Demokracisë së Re, sa më shpejt. Partia jonë e ka për detyrë të rikthejë shpresën dhe t’i japë një qëllim popullit grek, sidomos brezit të ri,” premtoi z. Andrulakis. Ndër synimet e tij politike janë rivitalizimi i sistemit shëndetësor, mbrojtja e të drejtave të punësimit dhe strehim më i përballueshëm për të gjithë.
Kryeministri Kiriakos Micotakis (o. Kyriakos Mitsotakis) e uroi kundërshtarin e tij dhe raportohet se e ftoi për një takim së bashku.
Aleanca politike PASOK–Lëvizja për Ndryshim u krijua në vitin 2018 si një grupim i qendrës së majtë. Në zgjedhjet europarlamentare të qershorit 2024, lëvizja siguroi vetëm 10 për qind të vendeve në parlamentin grek dhe 3 nga 21 karriget e eurodeputetëve në Bruksel.
z. Andrulakis shpalli zgjedhjet e reja pas presionit të brendshëm për largimin e tij. /Kathimerini