Brenda muajit maj do të marrë fund problemi i ujit të pijshëm për shumicën e banorëve të zonës së Yzberishtit. Bashkia e Tiranës përfundoi fazën e parë të punimeve që kanë të bëjnë me shtrirjen e tubacionit kryesor në rrugën “3 Dëshmorët” dhe tashmë, ka nisur fazën e dytë të zbatimit të projektit, shtrirjen e rrjetit në 200 shtëpitë e para që do të furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm.
Për këtë qëllim është kryer rikonstruksioni dhe zgjerimi depos së ujit, që mundëson kalimin nga një kapacitet prej 1000 m3 ujë në 4000 m3. Punimet e UKT-së u ndoqën edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtori i ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Redi Molla, të cilët panë nga afër ecurinë e projektit.
“Më vjen mirë që kjo do të jetë vera e parë ku nuk do të kemi problematikat e boteve të ujit sepse depozita e re e ujit, depoja e madhe, do të rrisë kapacitetin me 4 herë, por sigurisht edhe pjesa e zonës informale do të përfitojë ndjeshëm”, tha Veliaj.
Më tej, ai theksoi se edhe ky projekt është dëshmi e suksesit të mirëmenaxhimit të ndërmarrjes së UKT-së, si dhe e reformës së vjeljes së të ardhurave që bashkia siguron nga taksat dhe tarifat.
“Falë modernizimit që i bëmë sistemit të mbledhjes së të ardhurave, duke i futur të gjitha tarifat në faturën e ujit, kemi rritur ndjeshëm të ardhurat e Bashkisë së Tiranës. Duke filluar nga ky muaj i parë, kur mbi 90% e qytetarëve janë përgjigjur duke paguar në mënyrë korrekte taksat e Bashkisë, jemi gati t’u përgjigjemi menjëherë me investime”, tha kryebashkiaku Veliaj.