Një shqiptar është vrarë në Spanjë dhe është lënë para derës së një spitali.Ngjarja ka ndodhur në La Selva të Gironas, ku një automjet tip “Audi” braktisi në derën e spitalit “Blanes” një person të vdekur. Viktima, i identifikuar më pas si shtetas shqiptar, ishte qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme të kokës.
Autoritetet spanjolle bëjnë me dije se mjeti që e braktisi ishte “Audi” ngjyrë e zezë me targa të huaja dhe brenda tij mendohet se kanë qenë 3 persona. Viktima nuk kishte mjet identifikimi me vete dhe autopsia e tij pritet të zhvillohet të hënën.
Ndërkohë, disa orë pas ngjarjes, në stacionin e policisë Lloret de Mar Mossos d’Esquadra, është paraqitur një shtetas i cili deklaron se ka dijeni për krimin. Nuk dihet ende nëse personi është i përfshirë në vrasje apo ka qenë në automjetin që braktisi trupin e viktimës. Paraprakisht mendohet se shkak i ngjarjes janë përplasjet për trafikun e drogës mes grupeve kriminale shqiptare në Spanjë.
Kjo është një ngjarje epërsëritur në territorin spanjoll, pasi nuk është hera e parë që një shqiptar vritet dhe braktiset në derën e spitalit.
PRECEDENTËT
Në dhjetor 2019 një 23-vjeçar shqiptar ndërroi jetë në një spital në Valencia pasi u gjet i plagosur dhe i braktisur para dyerve të spitalit “La Fe”.
I riu ishte qëlluar me armë zjarri, ndërsa kishte plagë të rënda në bark dhe në pjesën e shpatullës.
Edhe pse stafi mjekësor i dha menjëherë ndihmën e parë, 23-vjeçari me kombësi shqiptare nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Më 25 Prill 2023, një tjetër shqiptar u gjet pajetë në dyert e një spitali në Girona. Targat e mjetit që e lanë te dera dhe u larguan, çuan në gjetjen e drejtuesit dhe identifikimin e viktimës. Mossos d’Esquadra kanë arritur të identifikojnë viktimën, e cila ishte pa dokumente, pasi kanë kontrolluar targën e makinës e cila e kishte sjellë dhe kanë gjetur drejtuesin e saj.
Sipas rindërtimit të ngjarjes një automjet ndaloi në derën e emergjencës së spitalit. Me të parë atë, një infermiere dhe një mjek nga shërbimi ndihmuan për të nxjerrë nga makina një burrë i cili kishte një plagë në bark dhe ishte në arrest kardiorespirator. Makina u largua shpejt nga vendi. Mjekët u përpoqën ta mbanin në jetë për 45 minuta duke kryer CPR pa sukses. Sipas burimeve nga Trueta, kur ka mbërritur në qendër “ai kishte vdekur tashmë”.
Hetuesit kanë analizuar përmbajtjen e kamerave të vëzhgimit të spitalit së bashku me personelin e sigurisë për të parë targën e mjetit që la viktimën në urgjencë dhe u largua. Ata morën një deklaratë edhe nga punonjësit e shëndetësisë që e trajtuan atë. Sipas burimeve, vizualizimi dha rezultat dhe ata morën targën dhe me të gjetën pronarin e mjetit, një shtetas me origjinë shqiptare, me banim midis rajonit Maresme dhe La Selva.
Atij iu mor një deklaratë në stacionin e policisë Vista Alegre në Girona. Falë kësaj deklarate, agjentët kanë zbuluar se viktima, ashtu si drejtuesi i mjetit, ishte gjithashtu me origjinë shqiptare dhe rreth 30 vjeç.
/a.r