Kur ekonomia e një vendi rritet, kjo rrjedhimisht përkthehet në më shumë mirëqenie për njerëzit. Kjo është një tezë tashmë e gjithë-pranuar në pjesën dërrmuese të ekonomive në botë. Por analiza e shifrave tregon se rritja ekonomike në Shqipëri nuk po përkthehet në më shumë mirëqenie për familjet dhe individët.
Viti i shkuar ishte i mbarë për arkën e shtetit, por jo edhe për aq për buxhetet e familjeve shqiptare. Në një kohë që rritja ekonomike ishte gati 4 për qind, shpenzimet mujore të familjeve në raport me vitin 2022 u zgjeruan me vetëm 3.7 për qind. Nga 88 mijë e 367 lekë në 2022-shinb, vitin e shkuar një familje shpenzoi mesatarisht 91 mijë e 675 lekë, 3 mijë e 209 lekë më shumë në muaj.
Nëse do të llogarisnim inflacionin që ishte mesatarisht 4.8 për qind, atëherë del që shqiptarët të kenë shpenzuar më tepër nga rritja e çmimeve, por ka marrë në këmbim më pak mallra e shërbime.
“Kjo vjen për dy arsye. E para janë të ardhurat e ulëta. Duke qenë pagat e ulëta, atëherë një pjesë e mirë e tyre rrjedhimisht shkon për ushqimeve. E Dyta është se në Shqipëri çmimet e ushqimeve janë ndjeshëm më të larta se në vendet e Bashkimit Europian”, shprehet Xhonsila Hoxha, eksperte për ekonominë.
Gati 40 për qind e asaj që një familje shqiptare shpenzoi gjatë vitit të shkuar shkoi për t’u ushqyer. Në vendet e Rajonit ky tregues nuk e kalon nivelin e 27 për qind, ndërsa në Bashkimin Europian vetëm 15 për qind. Fakti që pesha e shpenzimeve për ushqim në raport me totalin në vend është në nivele kaq të larta nuk do të thotë se shqiptarët ushqehen më mirë se qytetarët e tjerë të Europës apo Rajonit, transmeton A2.
“Pra familjet nuk është se patën më tepër para në xhepa, por thjesht shpenzimet u rritën nga inflacioni. Pra shqiptarët duket se kanë jetuar gjatë vitit 2023 më keq se sa gjatë 2022-shit. Me pak fjalë, ndërsa çmimet janë rritur, shqiptarët kanë blerë më pak mallra e shërbime se sa gjatë vitit 2022”, tha për A2 CNN, Teuta Nunaj, eksperte për ekonominë.
Kriza e çmimeve, vitin e shkuar thelloi hendekun mes jetesës në Tiranë dhe rrethe duke i dhënë jetë fenomenit të ri të blerjeve me lista veçanërisht në periferi.
“Më shumë se gjysma e banorëve të lagjes marrin veresie. Më shumës e gjysma!”, thotë një shitëse.
Tirana është vetëm “maja e ajsbergut” për sa i përket varfërisë. Fotografia “bardh e zi” e mospasjes gati në mjerin shfaqet më e gjallë se kurrë në rrethe. Bashkë me kryeqytetin, vetëm Fieri, Durrësi dhe Korça patën vitin e shkuar sipas Institutit të Statistika të ardhura për frymë afër me mesataren kombëtare, transmeton A2.
“Kemi vetëm Tiranën mbi mesataren kombëtare dhe gjithë qarqet e tjerë nën mesatare. Ky është shkak kryesor se pse sot të vitin 2024 ne kemi këto çrregullime demografike”, tha Doralda Tanellari, studiuese e çështjeve ekonomike.
Qytetarët e Durrësit, Vlorës, Beratit, Korçës, Dibrës, Elbasanit, Shkodrës, Lezhës e Kukësit sipas INSTAT, patën të ardhura vjetore gati sa gjysma e mesatares vendore. Kukësi rezulton edhe qarku më i varfër në shkallë vendi. Aty, të ardhurat e banorëve në një vitin ishin më pak se 3 mijë euro, thënë ndryshe sa gjysma e Tiranës e rreth 40 për qind më pak se mesatarja vendore.
Pasojat e mos-pasjes janë të shumta. Shpopullimi është më i dukshmi.
“Thuajse gjithë qarqet e veriut po përballen me këtë problem. Kjo për shkak të lënies në harresë për kaq shumë kohë”, tha Doralda Tanellari, studiuese e çështjeve ekonomike.
“Kjo është dilema e madhe në qarqe, por edhe në nivel kombëtar. Në raport me atë që prodhohet në qarqe, ajo që kthehet në interesin publik është shumë e pakët. Ndaj ka edhe kështu disbalancash”, tha Agron Haxhimali, ekspert i politikave vendore.
Një në tre shqiptare jetoi në kushte të vështira ekonomike gjatë vitit të shkuar. Kjo sipas Avokatit të Popullit për shkak të niveli të ulët të ndihmës ekonomike, pagave dhe buxheteve të kufizuara të bashkive për mbrojtjen social.
“Kemi dështim të politikave të zhvillimit të rajoneve. Nuk dimë se ku duhet të mbështet zhvillimi i atij qarku, Kjo ka bërë që njerëzit të kenë më pak të ardhura e rrjedhimisht të shpenzojnë më pak”, tha Agron Haxhimali, ekspert i politikave vendore.
Një tjetër problem që lind si pasojë e varfërisë në rrethe është edhe shitimi i familjeve që kërkojnë ndihmë ekonomike. Kjo përkthehet më pas në më shumë para’ të harxhuara nga Buxheti i Shteti e frenim të investimeve.
Shqipëria ka nivelin më të lartë të pabarazisë ndërmjet shtresave sociale se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor. Vendi përherë dhe më shumë po shkon drejt shtresëzimit dypolar vlerëson Banka Botërore në një raport të fundit, teksa paralajmëron se mungesa e shtresës së mesme është e rrezikshme për të ardhmen e shoqërisë.
“Janë dy Shqipëri që ndeshen gjithë kohën. Është një Shqipëri reale e atyre që përbëjnë më shumë se 50 për qind të të punësuarve në sektorin privat dhe atë publik me të ardhura të pamjaftueshme dhe kemi Shqipërinë virtuale që rreket të krijohet përgjithësisht nga zoti Rama, ekipi i tij dhe elita politike e vendit.”
Teksa e cilëson si një “realitet të dhimbshëm”, Banka Botërore argumenton se rritja ekonomike e vendit nuk po përkthehet në shtim të mirëqenies së popullatës. Ushqimi përbën 70 për qind të konsumit të përgjithshëm për 25 përqindëshin me të ardhura më të ulëta të popullsisë thuhet në dokument.
“Për fat të keq ne kemi individë që qeverisin, por ende nuk kemi institucione. Ajo çfarë ne nuk kemi qenë në gjendje të ndërtojmë janë urat mes kontributeve dhe taksave dhe përfitimet që vijnë nga ato. Pra shndërrimit të tyre në të mira publike”
Zhvillimet në vend, veçanërisht në dekadën e fundit ka kthyer në tavolinat e ekonomistëve diskutimet nëse duhet të kemi rritje ekonomike apo zhvillim ekonomik e social? Qeveria duket se ka zgjedhur rrugën e parë. Megjithëse në Buxhetin e Shtetit po futen si kurrë më para, vjet nga rritja e çmimeve dhe këtë vit nga puna e qytetarëve dhe fitimet e bizneseve, asnjë hap nuk është marrë deri më tani për rishpërndarjen e këtyre të ardhurave shtesë. Kjo do të thotë se pavarësisht nëse rritja ekonomike do të jetë 3.6 për qind siç së fundmi Banka Botërore parashikoi apo edhe më shumë, ajo që familjet do të kenë më shumë në xhepa për të shpenzuar do të jetë fare pak./A2