Gati 9 muaj pasi përfundoi një dënim me burg për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tenderë”, Fatos Tushe, ish-kryebashkiaku i Lushnjës, rrezikon të shkojë sërish në qeli.
SPAK i kërkoi gjykatës të dënojë me 1 vit e 5 muaj burg Tushen për akuzën e “mosdeklarimit, fshehje e deklarim të rremë të pasurisë”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Spak kërkoi uljen e një të tretës dhe dënimin e tij me 1 vit heqje lirie.
Sipas SPAK, Tushe nuk ka deklaruar në ILDKPI një apartament 82.3 m2 në Lungomare, Vlorë, një borxh të marrë, si edhe 2 automjete në një vlerë në total prej gati 50 mijë euro.
Dënimi i kërkuar është kundërshtuar nga avokati i Tushës, Dritan Trifka.
Në konkluzionet përfundimtare avokati i ka kërkuar gjykatës pezullim të dënimit me burg dhe lënien e klientit në Shërbim Prove.
Avokati ka sjellë si raste analoge kërkesat e SPAK për ish gjyqtarët Fatos Lulo dhe Bashkim Dedja, të gjykuar për të njëjtën akuzë dhe për të cilët SPAK ka kërkuar dënim alternativ dhe jo burg. Në këtë proces Tushe është hetuar dhe gjykuar pa asnjë masë sigurie.
/a.r