Pas Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK-ut, edhe Prokuroria e Përgjithshme thotë se nuk do të marrë pjesë me ekspertë në Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit, dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”.
Megjithatë, Prokuroria e Përgjithshme ka shprehur vullnetin të bashkëpunojë për çdo çështje të natyrës teknike që lidhet me kuadrin kushtetues e ligjor brenda, të cilit funksionon prokuroria dhe sistemi i drejtësisë.
“Prokuroria e Përgjithshme ka shprehur vullnetin të bashkëpunojë me Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” për çdo çështje të natyrës teknike që lidhet me kuadrin kushtetues e ligjor brenda, të cilit funksionon prokuroria dhe sistemi i drejtësisë.
Prokuroria nuk do të marrë pjesë me ekspertë si pjesë të nëngrupit të punës së komisionit, por ka njoftuar komisionin për caktimin e pikave të kontaktit të institucionit sipas fushave përkatëse të ekspertizës, të cilët do të bashkëpunojnë me komisionin në formën e dhënies së opinioneve mbi produktet e punës së këtij të fundit në të gjitha rastet që do t’u kërkohet prej tij”, thuhet në njoftim.
/a.r