“Nëse opozita tenton të bëjë kauzë burgosjen e një zyrtari të mesëm të PD siç është i dënuari Ervin Salianji, pse nuk e bëri të njejtën gjë, pra pse nuk e radikalizoi qëndrimin e saj kur u arrestua lideri i saj Sali Berisha?”. Kështu u shpreh gazetari Martin Leka gjatë një interviste në “Ditari” me Bruna Çifligu për A2-CNN.
Pyetjes nëse burgosja e Salianjit ishte pika që derdhi gotën, Leka iu përgjigj se procesi Salianji është plot me dritëhije, ai konsiderohet një politikan i burgosur, si shumë të tjerë që janë sot në burg, përkundër opozitës që e quan të burgosur politik. Ndërkohë që nëse ka një pikë ku opozita të radikalizonte qëndrimin, kjo do të ishtë dita e arrestimit apo mbylljes në shtëpi të liderit të saj Sali Berisha. Ka plot çështje ku opozita mund të gjente këto “pika që derdhin gotën” për radikalizimin e qëndrimit të saj, siç mund të ishte korrupsioni qeveritar, inceneratorët, 5D, etj. Përpjekje për të radikalizuar protestat ka patur edhe nje vit më parë, por s’kanë sjellë rezultat. Absurdi është në faktin se opozita po kërkon me të njëjtat mënyra e mjete të ketë rezultat të ndryshëm. Kjo është utopike, tha më tej Leka.
Lidhur me aksionin opozitar te deritanishëm e të pritshëm, gazetari tha se opozita ka nisur luftë në disa fronte, disa të panevojshme e ndoshta të dëmshme për vetë atë.
“Lufta ndaj qeverisë e korrupsionit zyrtar është padyshim një front i besueshëm dhe që për mendimin tim, sjell rezultat. Lufta ndaj sistemit të drejtësisë, sidomos SPAK, deri duke përdorur terma banditësh, është një luftë e pashpresë dhe jo vetëm nuk sjell vota në thesin e opozitës, por përkundër, i zvogëlon ato. Fronti tjetër, qëndrimet kundër ndërkombëtarëve, janë jo vetëm inefektive, por të dëmshme për vetë opozitën. Nuk mund të mendohet që me liderin e saj nongrata nga SHBA e Mbretëria e Bashkuar dhe njëkohësisht kandidat për kryeministër, opozita të vije në pushtet”, than ë intervistë për A2-CNN Martin Leka.
Opozita duhet të frymëzojë. Duke paralelizuar pushtetet e viteve 94 kur drejtonte Berisha dhe referendumin për ndryshimin e kushtetutës që ai drejtoi me pushtetin e sotëm të zotit Rama, Leka tha se “Berisha ishte tre herë më autokrat se Rama, por e humbi referendumin sepse kishte një opozitë të fortë që bindi njerëzit. Dhe votuesi, populli nuk gabon. Politikanët po”.
/a.r