Nga ARTUR AJAZI
Ndryshime të befasishme pritet të ndodhin në Partinë Demokratike. E ndërsa shumëkush beson se “Berisha nuk ikën prej andej pa u bërë kryeministër”, fjalë të dala nga selia blu thonë se “pritet të ndodhin surpriza para zgjedhjeve”. Nuk ka dsikutim se Sali Berisha, si politikan i vjetër, e ka të qartë se “koha e tij politike ka mbaruar, dhe se kryeministër nuk bëhet kurrë”. Por ja që puna dhe halli ja do, që të sillet sikur “nuk do të largohet kurrë nga kryetarllëku”. Fati dhe betejat e PD-së, me kryetar Berishën tanimë dihen. E di këtë edhe vetë Berisha, Noka, Salianji,Gaz Bardhi, dhe gjithë ata që janë të zgjuar nga “letargjia”, duke parë mosafrimin e nderkombëtarëve. Eshtë kusht i pashkruar në politikën shqiptare, “nëse nuk e ke mirë me ndërkombëtarët, kot lodhesh për të ardhur në pushtet”.
Por ja që ndodh edhe kështu. Berisha ka vite që telekos dhe rraskapit një taborrë me njerëz në PD, duke u thënë “Rama ikën në qershor, në shtator, tetor”, apo dhe se “ne do të fitojmë zgjedhjet dhe vijmë në pushtet”, duke mos evidentuar dhe deklaruar hapur problemin e vërtetë, që është qëndrimi ose largimi i tij. Por edhe lodhja dhe sfilitja, apo më mirë të themi se “çdo gjë e ka një limit”, kanë bërë efektin e duhur. Dhe patjetër do ta bënin, duke parë se si përpëlitet opozita sallave, komisioneve, oborreve duke djegur karrike, manikina, dhe duke mos fituar asgjë, as simpatinë e demokratëve, dhe as besimin dhe shpresën e tyre se “një ditë kjo PD vjen në pushtet”. Akuzat dhe denoncimet e përditshme, në çdo vënd demokratik, bëhen me fakte dhe i serviren organeve kompetente, dhe janë gjëja e duhur, kur ato nuk kthehen në “mërziti” për njerëzit.
E vetmja gjë, që PD-ja e sotme me kryetar Berishën po bën, është intimidimi i çdo ministri, i kryeministrit, i çdo drejtori policie, apo kryetari bashkie, dhe kaq. Akuzojnë, shajnë, shpifin, u sulen dyerve të bashkive dhe ministrive, duke e kthyer partinë në “batalion partizan”. Një parti politike, nuk duhet të mbahet në këmbë dhe të funksionojë si e tillë, vetëm me sulme verbale dhe fizike ndaj kundërshtarit, por ajo duhet të ecë ritmikisht me programe, ide, alternativa, dhe punë sistematike me mbështetësit e saj, për të ngjallur besimin dhe shpresën e humbur. Kjo PD e Berishës, e ka lënë pas dore, ose më mirë të themi e ka harruar fare votuesin, mbështetësin dhe anëtarësinë e saj. Gjithë ata deputetë që deri para 1 muaji, nuk i ndihej zëri në Parlament, sot kanë marrë “flamurin” e rrebelit, sulmuesit, dhe zjarrëvënësit.
Arsyeja ? I duhet kjo sjellje për të siguruar vendin në listën e re të kandidateve për deputet për 2025. Gjithë kjo situatë kaq delikate dhe shumë kaotike në atë parti, si dhe shanset e humbura që ka Berisha që nesër të fitojë zgjedhjet dhe të bëhet kryeministër, e kanë vënë në “pikëpyetje serioze” vazhdimin e qëndrimit të tij, deri në ditën e zgjedhjeve si kryetar partie. Dhe kjo jo nga ndonjë trysni apo presion i brëndshëm, por thjesht nga parandjenja e tij se, jo vetëm do ti humbasë zgjedhjet, por edhe se ikja e tij, pas humbjes do të jetë e bujshme dhe spaktakolare. Ndaj, për ti dalë përpara “befasive të tilla me pasoja”, Berisha po bëhet gati ta kalojë “kryetarllëkun papritmas” tek ndonjë tjetër, (ndoshta tek Argita dhe duke u shpallur ndoshta kryetar nderi) padyshim më i besuari i tij. Ende nuk aludohet për ndonjë emër të veçantë, por gjithsesi po mendohet për të shpëtuar emrin dhe figurën e Berishës nga humbja e 2025. Në rast se edhe kjo nuk ndodh, padyshim ikja e Berishës do të jetë jo vetëm e bujshme, por edhe e turpshme.