“La Stravaganca” e Angjelin Preljocaj do të thyejë për herë të parë kufijtë mes Tiranës dhe Beogradit.
Në Teatrin Kombëtar të kryeqytetit serb do të luhet për herë të parë një pjesë nga trupa e Teatrit të Operas dhe Baletit, një spektakël që përkrahet nga institucionet, duke i dhënë mundësi një fryme të re bashkëpunimi dhe një të ardhmeje më të mirë, transmeton topchannel.
Në një konferencë për shtyp, ku u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes dy institucioneve, zyrtarët thanë se ka ardhur koha e një respekti të ndërsjellë.
“Kemi ide të njëjta për artin dhe kulturën, e ndiejmë nevojën që të jemi të bashkuar nëpërmjet kulturës dhe artit, duke gjetur gjërat që na bashkojnë dhe jo ato që na ndajnë”, tha Dejan Saviç nga Teatri Kombëtar i Beogradit.
Ilir Kerni, drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit tha se Shqipëria do të përfaqësohet në mënyrë të denjë dhe se ky bashkëpunim tregon edhe nivelin e shqiptarëve në art.
Shfaqja është paralajmëruar nga Teatri i Beogradit, ndërkohë që shfaqje të tilla pritet të ketë edhe në Tiranë. Ndërkohë është paralajmëruar edhe një koncert i Inva Mulës para publikut serb, në të ardhmen.