Një aksion i policisë, që arrestoi 19 persona, ndër ta, drejtues të “Curva Sud” dhe “Curva Nord”, ka bërë që të shpërthejë kaosi, sa i përket ultrasve të Milanit dhe atyre të Interit.
Sipas Prokurorisë së Milanos, mbështetja për ekipet ishte si fasadë, pasi stadiumin “San Siro”, drejtuesit e ulrtasve, e kishin kthyer në një vend biznesi.
Pas një hetimi të gjatë, u zbulua se “kokat” e dy tifozerive, kishin lidhur një pakt mes tyre, për të ndarë në mënyrë të paligjshme biznesin dhe të ardhurat që ishin të lidhura me stadiumin “San Siro”.
Akuzat janë për komplot kriminal, që synon një seri zhvatjesh, të lidhura me pjesën e stadiumit. Bëhet fjalë për biletat e klubit, parkimin, shërbimet e kateringut dhe shitjet e pijeve në “San Siro”, por jo vetëm.
Në hetimet e bëra prej disa vitesh, zbulohet edhe mënyra sesi tifozët e thjeshtë kërcënoheshin nga drejtuesit e tifogrupeve.
Në një pjesë të hetimeve, zbulohet se Marco Ferdico, një nga drejtuesit e urtrasve, kërcënonte me dhunë dhe rrahje tifozët që nuk blinin biletat me çmimet e vendosura nga “Curva Nord”, të cilat ishin më të larta nga ato që klubet kishin nxjerrë në shitje.
Ferdico kishte kërcënuar tifozët se do i dhunonte para të gjithëve, nëse zbulohej se ishte në mesin e ultrasve, por me biletë të blerë në kanale të tjera, pa paguar 10 euro shtesë, siç ishte vendosur nga “Curva Nord”.
Në orët e ardhshme, pritet të zbulohen edhe detaje të tjera nga hetimet, që sollën arrestimin e 19 personave.
/a.r