Nga Jakin Marena
Është i vërtetë paralajmërimi se viti 2025, viti kur dhe do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, do të shkaktojë përmbysje të mëdha politike. Madje mendohet se dhe do të trondisë thellë politikën shqiptare, plot 35 vite pas shembjes së komunizmit.
Përbën çudi se këtë paralajmërim më shumë e dëgjojmë nga maja e ballkonit ku është mbyllur nën arrest shtëpiak për korrupsion pasiv në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, nga Sali Berisha se sa nga persona dhe grupe shoqërore të tjera.
Kreu i PD, i cili përballet me akuzat e përmbledhura në dosjen prej 500 faqesh të hetuar nga SPAK ku ‘bankomati’ i tij dhëndri Jamarbër dhe vajza Argitë jo vetëm kishin sponsorizuar rëndë të gjitha shpenzimet e babait ish kryeministër, por me dijeninë apo pa ‘dijeninë’ e njëri tjetrit si çift, kishin blerë banesa në kryeqytetet e gjysmës së Evropës, më shumë në para cash sa sa përmes bankave, pra Berisha i referohet me përmbysje rrëzimit të Ramës dhe qeverisë së tij.
Se si do ta rrëzojë Ramën hajde e kuptoje Berishën, pasi deri në fund të të njejtit fjalim, i këput një ndryshim ‘kursi’ të deklaratave që thotë para atyre 30-40 vetëve që mblidhen poshtë ballkonit të tij, teksa deklaron se ‘me Edi Ramën kryeministër” nuk fitohet pasi nuk ka zgjedhje. Ai i blen zgjedhjet”, dhe deklarata të tjera të këtij lloji.
Me këto deklarata se s’fitohen zgjedhjet me votë përballë Ramës ua pret ‘krahët’ demokratëve, duke i demotivuar deri në atë shkallë sa parashikohet që bojkoti i popullit opozitar të jetë sa dyfishi i bojkotit të ndodhur zgjedhjeve për pushtetin vendor të vitit të kaluar.
Një demotivim tjetër është dhe emërimi i 12 ‘komisarëve politikë’ nëpër qarqe për të drejtuar PD dhe fushatën e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Të cilët që në krye të herës janë kundërshtuar nga ana e strukturave dhe vetë demokratëve të këtyre qarqeve, aq sa këtë të shtunë vetëm ndërhyrja e palëve bëri që i deleguari i qarkut të Lezhës Agron Gjekmarkaj të mos nxirrej me shkelma jashtë sallës së takimit. Apo Gaz Bardhin që në Fier e pritën në sallë afër 10 burra në moshë të thyer, teksa u prantua si drejtues politik. Kështu dhe të tjerët, humbës funksionalë të cilët do kërkojnë të mbledhin vota. Nuk i duan me një fjalë. Thjeshtë janë aty për të kryesuar listat e mbyllura dhe garantuar një mandat deputeti.
Berisha paralajmëron përmbysje vitin e ardhshëm dhe këtu me sa duket i referohet revolucionit që promovon sa herë që del përballë mediave për të treguar mënyrën se si do të rrëzojë Ramën. Revolucion të cilin ka gati 13 vite që po tenton ta realizojë dhe nuk po e realizon dot. Pasi për të bërë një përmbysje apo një revolucion siç pretendon Berisha, duhen njerëz, të cilët Berisha nuk i ka me vete. Këtë e tregojnë tubimet e përnatshme poshtë ballkonit të pallatit të tij, apo protestat njëherë në javë përballë Bashkisë së Tiranës kundër Veliajt. Në asnjë rast nuk i kalojnë të 40 vetët. Para bashkisë janë protesta akoma më të vobekta! Por këtë e tregojnë dhe takimet e të deleguarve të PD në qarqe, këtë e tregojnë dhe sondazhet serioze që e nxjerrin ‘gropë’ PD e opozitën.
Për hir të së vërtetës, dhe ‘babai shpirtëror’ i Berishës, vetë Enver Hoxha në vakti, thoshte ‘se revolucionin e bëjnë masat, partia i bën ato të ndërgjegjshme dhe i udhëheq’. Nuk dimë nëse e kishte si shprehje të huazuar apo të përshtatur nga vetë ai për nevojat politike, por dhe Enveri e theksonte se për të bërë një revolucion duhen një çikë njerëz. PD dhe Berisha nuk e kanë këtë mbështetje dhe kështu që revolucioni jo vetëm që ka mbetur pa u realizuar, por siç po duken ‘bathët’ PD do të shkojë drejt shuarjes së plotë pa bërë revolucionin e premtuar. Pra pa pasur asnjëherë takat për të bërë përmbysjen e madhe të paralajmëruar për vitin e ardhshëm, atë të rrëzimit të Ramës dhe për të bërë zgjedhje e për të ardhur Berisha në pushtet.
Po pse themi atëherë se viti 2025 do të jetë viti i përmbysjes madje dhe tronditjes së madhe?
Në krye të herës, me intensitetin me të cilin po punon SPAK, i cili ka kopsitur sipas parimit amerikan ‘ndiq paratë’ dosjen “Partizani” në ngarkim të ish kryeministrit Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe personave të tjerë të lidhur me ta nën akuzën e korrupsionit pasiv dhe të pastrimit të parave, si dhe ka ‘vënë para’ punën për hetimin e pasurisë së familjes Berisha por dhe hetimin e dosjes së ’21 janarit’, “Gërdecit’, aferës CEZ-DIA dhe dosjeve të tjera, viti 2025 mund ta gjejë tërë situatën të tronditur dhe të përmbysur në vetë kupolën e PD.
E themi se do të ketë një përmbysje dhe tronditje të madhe sepse me akuzat e rënda që ka në kurriz Berisha, asnjë gjykatë në botë nuk mund ta lërë jashtë qelisë liderin e PD. Dhe PD mund të hyjë në zgjedhjet e vitit 2025 me liderin në qeli, ose minimumi nën arrest shtëpiak duke pritur dënimin për veprat penale për të cilat akuzohet. Kjo me sa duket ka shkaktuar tronditje dhe tek Berisha e familja e tij, e përcjellë përmes gjuhës së ashpër jo vetëm ndaj SPAK që e ka kthyer tashmë në një trend, por dhe ndaj mediave që publikuan dosjen e rëndë dhe të detajuar prej 500 faqesh të kopsitur nga SPAK në mënyrë të detajuar për korrupsionin e tij dhe të familjes së tij.
Pra PD futet në zgjedhje me liderin e saj nën arrest minimumi, dhe me një kupolë drejtuese që ka vetëm një qëllim: marrjen e një mandati deputeti, pasi e ka shumë të vështirë që të shënojë rezultat pozitiv në zgjedhje një opozitë e tillë e shkatërruar në themel. Ku dhe aleati i Berishës nën arrest shtëpiak dhe kandidat për në qeli, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, është dhe ai nën hetim, dhe mund t’i bashkojë rrugët me Berishën aspak në pushtet, por me shumë gjasa në qeli.
Dhe përmbysja e madhe mund të ndodhë, pasi mazhoranca socialiste e drejtuar nga Edi Rama mund të kalojë shumicën kushtetuese prej 94 mandatesh deputeti, apo siç paralajmëron dhe vetë kreu i PS se mund të arrijë në 100 mandate si më 1997, ndërkohë që PD mund të marrë pak më shumë se 25 mandate e kusuri i mandateve të tjera partive të reja dhe të vjetra opozitare ose jo. Kjo do të ishte një përmbysje vërtetë e madhe, që mund të ndikojë dhe tek opozita shqiptare, e cila me shumë gjasa do të shkonte drejt një ricoptimi tjetër të madh. Dhe tashmë të plotë!
Një rindarje tjetër do të vinte për shkak se PD e ka me Statut që kryetari që humb zgjedhjet parlamentare do të dorëhiqet. Duke qënë se humbjen e thellë PD e ka të sigurtë, por po kaq të sigurtë PD ka dhe faktin se Berisha as që e mendon të largohet nga posti i kryetarit të partisë-pronë e tij, e ka ngritur alibinë e humbjes që tani me akuzat se nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, atëherë grupi i Bardhit, me ata deputetë që do të marrë më 2025 do të fillojë të hedhë ‘vickla’ për ‘qarkullimin e elitave’ apo do shprehet kundër drejtimit të PD me trashëgimi në ‘linjë gjaku’ dhe në fund të herës do të largohet, duke shkaktuar sërish ‘frakturë’ në trupin e PD të katandisur dhe pa këtë ndarje, në një thelë. Ndarje e cila i shtohet ndarjeve të tjera, duke filluar me Alibeajn, Shehajn e pse jo dhe me Bashën demokratët euroatlantikë të tij.
Por një përmbysje e tillë, mund të sjellë dhe mbarësi për opozitarët në Shqipëri. Pasi rrënimi i PD dhe aleatëve të saj, mund të krijojë shanset për një rigrupim të ri opozitar, me një lidership të ri, ku të gjithë ata që nuk duan këtë mazhorancë, të gjithë ata që janë zhgënjyer nga lidershipi aktual i opozitës dhe kanë bojkotuar madje dhe pjesëmarrjen në zgjedhje, do të bashkohen për të dhënë një alternativë të re politike në këtë vend. Qoftë dhe përmes një poli të përbërë nga disa grupime politike, por me një qëllim të përbashkët.
Populli opozitar i ka humbur shpresat tek PD, Berisha apo aleatët e tij traditcionalë. Pret thjeshtë një përmbysje dhe tronditje politike në kampin opozitar pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2025, për të rimarrë veten dhe për t’u riorganizuar rreth një ‘bërthame’ tjetër opozitare. E cila pritet të dalë nga rrënojat e kësaj opozite, që sipas parashikimeve do të shënojë dhe minimumin e minimumit të mbështetjes popullore që pas vitit 1990. Të shohim!/ Shqiptarja.com