Arlind Qori, kreu i “Lëvizja Bashkë”, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku deklaroi se nuk ka asnjë plan të bëjë koalicion me parti të tjera, përfshirë partitë e Endri Shabanit dhe Adriatik Lapajt.
Qori tha se ajo që e ndan Lëvizjen Bashkë me këto parti, është oligarkia dhe fakti që oligarkët nuk denoncohen me forcë, siç bën partia që drejton ai.
“Parti të reja këtu krijohen çdo dy javë. Parti njerëzish që dalin nga parti të tjera. Dilet nga një parti dhe pastaj u kërkon bashkëpunim për koalicion të gjithëve dhe pas dy javësh i shan të gjithë. Situata është qesharake, katastrofike.
Lëvizja Bashkë ka disa kritere që na e pamundësojnë bashkëpunimin me ato parti që e kanë qeverisur Shqipërinë, apo kanë dalë nga parti që e kanë qeverisur Shqipërinë.
Kur vjen punë te partitë që përmendët (Nisma Thurje dhe Shqipëria Bëhet), këtu kemi dy probleme, një është pak më sipërfaqësorë, jam pak skeptik për njerëz që kërkojnë të bashkëpunojnë edhe me mua edhe me Bashën, apo Alibeajn.
Tjetra, ka të bëjë më qëndrimin ndaj oligarkisë ekonomike. Ose evidentojmë problemin në tërësinë e vet, ose nuk ka sens të merresh me Ramën dhe Berishën dhe jo me ata që i financojnë dhe që vjedhin me zotin Rama dhe zotin Berisha. Të bësh këtë që bën lëvizja Bashkë ka rreziqe, më e dukshmja është përjashtimi nga media. Ne mbajmë kosto për këtë. Unë kam mbi një vit nuk marr ftesë nga Top Channel, Klan, ABC.
Në mediat në Shqipëri, ftohen çdo ditë 300-400 vetë, them si ka mundësi që nuk gjendet vend për përfaqësuesit e Lëvizja Bashkë?
Kjo ka të bëjë me qëndrimin tonë ndaj oligarkisë ekonomike dhe politikës. Nëse flet me çerek zëri ndaj tyre, ose ua ke frikën, ose kërkon të bësh ujdi me ta. Një njeri që do dorën time, nuk mundet që dorën tjetër ta mbajë rezervë për Samir Manen, Shefqet Kastratin, Ramën, Bashën, etj. Unë nuk kam besimin në momentin që flasim, se parti të tjera kanë këtë lloj konseguence. Deri tani nuk shoh partner të denjë për të shkuar përpara”, tha Qori.
/a.r