Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka theksuar se përderisa Serbia nënshkruan marrëveshje me Gjermaninë, Francën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova është e izoluar dhe e sanksionuar.
“Serbia dje e nënshkroi një marrëveshje me SHBA për investime strategjike në fushën e energjetikës. Kjo pas marrëveshjes me Gjermaninë për Litium, dhe me Francën për avionët e avancuar ushtarak. E Kosova? E izoluar, e snaksionuar, e përjashtuar. Kur miqtë tanë, ata pa ndihmën e të cilëve nuk do të ishim as të lirë e as të pavarur, që të gjithë, na thonë që jemi në rrugë të gabuar, është koha me e pa veten në pasqyre”, ka shkruar Vlora Çitaku në Facebook.
Ajo më tej ka thënë se: “Nuk na ka faj kurrkush. Biden i keq, Trump i keq, Mogerini e keqe, Borelli i keq, Greneli i keq, Lajçak i keq, Merkel e keqe, Scholz i keq, Macroni i keq, Rama i keq. Krejt na kanë faj. A po Albin? Vetëm ti e ke mirë. Ti edhe kush? Kush janë aleatët e tu Albin? Se pa aleatë nuk mundet as Amerika. Albin Kurti, Kosova është ma e madhe dhe më e rëndësishme se egoja jote. Mashtrimit tënd po i vie fundi”.