Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) prezantoi në Tiranë edicionin e 10-të të Ballkan Barometrit, sondazhi më i madh i opinionit publik dhe i biznesit në rajon.
Aktiviteti u hap nga Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu dhe Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, pasuar nga prezantimi i të gjetjeve të Barometrit të Ballkanit, përmes një diskutimi të hapur mes Sekretares së Përgjithshme të RCC-së, Bregu dhe audiencës së përbërë nga të rinj, përfaqësues të organizatave rinore rajonale.
“Barometri i Ballkanit zbulon se rritja e çmimeve dhe inflacioni janë shqetësimi më i madh këtë vit për njerëzit e Ballkanit Perëndimor, të cilët gjatë dekadës së fundit shqetësoheshin më shumë për situatën ekonomike dhe papunësinë. Ky ndryshim nuk vjen si befasi, pasur parasysh se inflacioni në Ballkanin Perëndimor është gati dyfishi i atij të BE-së (respektivisht 8,1% e 3,4%), ndërsa çmimet e ushqimeve janë pothuajse të njëjta si në BE. Megjithatë, BPV-ja jonë është vetëm gjysma e asaj të BE-së”, tha Bregu, ndërsa prezantoi të dhënat e dala nga sondazhi.
“Gjërat po ndryshojnë – jo vetëm rrethanat rreth nesh, por edhe perspektivat tona. Mbështetja për anëtarësimin në BE, nisur me 39% në 2015, arriti kulmin me 62% në 2021 dhe prej atij momenti nisi rënia. Sot, ajo qëndron në 54% —më e ulëta në gjashtë vitet e fundit. Lodhja nga zvarritja e zgjerimit, ndonëse më pak, është reflektuar edhe në qarqet e biznesit. Ndërsa mbështetja për anëtarësimin në BE midis liderëve të biznesit ka zbritur me 7% gjatë vitit të kaluar, me 64% ende në favor ajo vazhdon të mbetet më e lartë se në mesin e publikut të gjerë. Pavarësisht kësa, shumë qytetarë mbeten me shpresë. Dyzetë e tre për qind besojnë se anëtarësimi në BE do të ndodhë deri në vitin 2035, kurse një e katërta mendon se do të marrë më shumë kohë. “Në mënyrë inkurajuese, më pak njerëz se vitin e kaluar, 18%, besojnë se ekonomia e tyre nuk do të anëtarësohet kurrë në BE—një rënie prej 10 pikësh prej vitit 2022”, shtoi ajo.
Ky sondazh vjetor është kryer me gjashtë mijë njerëz dhe 1200 biznese nga i gjithë Ballkani Perëndimor, duke dhënë një pasqyrë të opinioneve të tyre mbi bashkëpunimin rajonal, integrimin në BE, besimin tek institucionet publike dhe mediat, shqetësimet e tyre më të mëdha, punësimin, ndryshimet klimatike, sigurinë, jetën dixhitale, transportin, sundimin e ligjit, udhëtimin, etj. Që prej fillimit në 2015-ën, anketa ka biseduar me mbi 65,000 qytetarë dhe afro 13,500 biznese duke pasqyruar opinionet e tyre.
“Në një notë pozitive, besimi tek bashkëpunimin rajonal është në rritje. Këtë vit, një rekord prej 82% e qytetarëve shprehën mbështetjen e tyre për të – rezultati më i lartë që nga fillimi i Brometrit të Ballkanit në 2015. Kjo thekson se bashkëpunimi rajonal ka vlerë të vetën, në vend që të vështrohet në kontekstin e integrimit evropian, si ka ndodhur vitet e kaluara. Megjithatë, politika nacionaliste vazhdon të shihet si pengesë e madhe për bashkëpunimin rajonal. Ndërsa besimi dhe optimizmi në rajon mbeten të kujdesshëm, ka shenja përmirësimi në mënyrën se si njerëzit perceptojnë këto çështje, pasi opinioni publik evoluon aq shpejt sa guximi politik lejon.”
Disa nga gjetjet kryesore të Barometrit të Balkanit.
-Sentimenti publik është përmirësuar: nga 35% në vitin 2015 në 49% tani.
-Në vitin 2020, 26% e qytetarëve të rajonit ishin të mendimit se Ballkani Perëndimor u jepte shpresë, por tani kjo vlen vetëm për 12%. Në vitin 2024, ndjenja dominuese është “Konflikti” me 22%.
-20% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor shpresojnë për anëtarësim në BE deri në vitin 2030, ndërsa 23% presin që kjo të ndodhë ndërmjet 2030 dhe 2035.
-Në vitin 2015, 27% besonin se do të ndodhte deri në vitin 2020 dhe 21% deri në vitin 2025.
-Më pak njerëz, 18%, besojnë se ekonomia e tyre nuk do të anëtarësohet kurrë në BE, një rënie prej 10 pikësh nga viti 2022.
-Në vitin 2021, kur pyetëm qytetarët nëse ishin të gatshëm të punonin në Ballkanin Perëndimor, vetëm 7% u përgjigjën pozitivisht, ndërsa tani në 2024ën, 22% e tyre janë të gatshëm për këtë.
-Besimi në institucionet mbetet në nivele të ulëta: partitë politike vazhdojnë të gëzojnë më pak besim me 74%.
/a.r