Autoriteti i Konkurrencës raportoi dy ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë, ku kreu i këtij institucioni, Lindita Lati foli para deputetëve anëtarë të këtij komisioni edhe për GFI, kompani e regjistruar në një parajsë fiskale, që më pas ka shitur aksionet e veta.
Bëhet fjalë për koncesionin e markimit të karburanteve, një koncesion 150 milionë dollarësh, që GFI e mori në fund të qeverisë “Berisha”, në 2013.
Duke iu rikthyer kësaj teme në Top Story, Lati e ftuar këtë të enjte ripërsëriti qëndrimin sesi të shmangen fenomene të tilla në të ardhmen.
“I vetmi instrument është që në marrëveshjet koncesionare duhet të jetë e shprehur qartas se kur ndryshohet paketa e kontrollit të koncesionarit duhet të merret autorizimi nga autoriteti nënshkrues i marrëveshjes koncesionare dhe rrjedhimisht kjo sjell një instrument tek Autoriteti i Konkurrencës”, deklaroi ajo.
Ajo thotë se duhet patur parasysh efekti për asetet publike në rastet e shit-blerjeve të kompanive.
“Që në momentet kur nisin bisedimet duhet të dimë a kemi të bëjmë me investitorë seriozë dhe institucionet që janë përgjegjëse deri në finalizimin e kontratës, duhet të kenë në bazë çuarjen drejt shfrytëzimit me sukses të aseteve kombëtare”, tha Lati.