Fundi i korrikut dhe i gjithë muaji gusht shënoi një valë të re të rritjes së të infektuar me Covid. Kjo u bë e ditur në Dita Jonë në A2 CNN nga drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini dhe mjeku Ilir Alihmehmeti. Sipas Tominit në këtë periudhë ka patur deri në 390-400 raste në javë.
“Situata e Covid është gjatë gjithë vitit prezent. Ndryshe nga gripi që është sezonal, Covid ka qenë prezent. E ka pasur pikën që e kemi quajtur si valë verore, se vazhdimi nga janari në korrik ka qenë në normalitet. Më pas bëri të njëjtën trajektore ku pati rritje në fund të korrikut deri në fund të gushtit, ku ka shkuar deri në 390-400 raste në javë”, citon A2 Tominin, e cila rekomandon që të mos neglizhohen shenjat.
Aktualisht thekson Tomini në A2 ka rënie të rasteve me Covid krahasuar me pikun e verës dhe atë të dy javëve më parë.
“Kemi një rënie të rasteve të Covid në qarkullim nga 120 raste në javë në dy javët e fundit, aktualisht kemi 60- 70 raste në javë. Por prezenca e infeksioneve respiratore ka vijuar të mbizotërojë”.
Për mjekun Alimehmeti, arsyeja kryesore e rritjes së të infektuarve me Covid gjatë verës kanë qenë udhëtimet, ndërkohë që varianti i Covid sipas tij vijon të mbetet Omicron.
“Kjo u vu re edhe vjet ku patëm edhe një valë verore. Vala verore ka tendencën të jetë ëm eqetë por një nga arsyet kryesore janë udhëtimet. Njerëzit lëvizin shumë, në një anketim të Eurostat 90% e europianëve do të lëviznin gjatë verës. Duke pasur koeficientin R më të lartë, ka mundësi të ngjitet dhe në verë. Ndërkohë që gripi nuk e ka dhe s’do të kemi kurrë grip në verë. Varianti mbetet Omicron”, citon A2 mjekun.
I pyetur për pasojat e vaksinës së Covid, mjeku Alimehemeti përgjigjet në A2: “Nuk ka vaksina pa efekte anësore, por kur anon nga e mira e rekomandojmë, kur anon nga e keqja ne i heqim. Kemi medikamente që i kemi përdorur 40 vjet dhe i kemi hequr. Kishim një situatë emergjence. Pse u caktua me detyrim? Sepse në fillim të dhjetorit të 2020-ës u diskutuan efektivitet 95-96% që dolën në NYT dhe që do bllokonte transmetueshëmrinë. Nëse do kishte bllokuar transmetueshëmrinë, atëherë do të ishte bërë më detyrim. Ne pamë nga Izraeli që kjo nuk po ndodhte. Efektet 10-vjeçare janë të rralla, por nuk mund ta them pa kaluar 10 vite. Duhej një komunikim dhe individualizim, por kjo ishte shumë e vështirë për t’u bërë në atë kohë. Vaksinimet fiktive, që të gjithë prodhonin kartona sikur e kishin bërë dhe kjo të fut një kulturë të gabuar”.
Kjo ka bërë që njerëzit të jenë skeptikë për të kryer vaksinat. Dhe këtë e konfirmon edhe mjekja Aurora Dollenberg, e cila u shpreh në A2 se në Gjermani ka një ulje të vullnetarizmit për të bërë vaksinat.
“Në këtë vjeshtë vullnetarët për ta marrë vaksinën janë shumë më të ulëta. Ka një lloj skepticizmi”.
/a.r