Ndryshimet në Urdhrin e Mjekëve janë diskuar në seancën plenare të 12 shtatorit, ku ishte Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, e cila tha se këto ndryshime sjellin një shërbim cilësor, vendosin rregulla të qarta të dypunësimit, krijohen struktura transparence për rastet e shkeljeve dhe bëhet një balancë për punën e mjekëve në shërbimin publik dhe privat.
Ministrja Koçiu u shpreh se këto ndryshime rrisin shërbimin ndaj qytetarëve dhe mbrojnë imazhin e mjekëve. Në bazë të ndryshimeve, tha Koçiu, mjekët drejtues të çdo niveli në spitalet në vend nuk mund të drejtojnë klinikë private.
“Këto ndryshime lidhen me punësimin dhe angazhimin e mjekëve në sektorin publik shëndetësorë. Këto ndryshime konsistojnë në vendosjen e rregullave të qarta në shmangien e konflikti të interesit të mjekëve që shërbejnë në sektorin publik dhe në atë privat. Ndërkohë që drejtuesve të spitaleve publike të çdo niveli u ndalohet që të jenë drejtues të klinikave private. Kjo do të rrisë shërbimin cilësor ndaj qytetarëve dhe mbrojtjen e imazhit të mjekëve që të mos cenohet. Këto rregulla krijojnë një balancë të drejtë të dypunësimit të mjekëve pa cenuar asnjë të drejtë ë kanë mjekët për dypunësimin. Prioritet të bëhen shërbimet publike, pas dëmtuar pacientët që kanë nevojë për trajtim në strukturat publike. Do të ketë edhe një kod të ri etike lidhur me shkeljen e disiplinës dhe etikës profesionale duke forcuar masat dhe duke parashikuare dhe pezullim dhe heqje e licencës së heqjes së funksionit të mjekut”, tha Koçiu.
Gjithashtu mjekët që punojnë në spitale me autonomi financiare nuk do të lejohen të punojnë në privat, pasi do të jetë vetë ky spital shtetëror që do i ofrojë ambientet jashtë orarit zyrtar.
“Fokus i jepet edhe autonomisë spitalore. Mjekët që punojnë në spitale me autonomi financiare nuk do të punojnë në struktura private, pasi do të jetë vetë spitali që do i jap mundësi të punojë dhe shfrytëzojë ambientet e spitalit publik jashtë orarit zyrtare për të punuar. Synojmë edhe rritjen e transparencës duke krijuar një regjistër publik elektronik për mjekët që punojnë në privat”, tha Koçiu.
/a.r