Deri në rënien e komunizmit Shqipëria ishte vendi më i mbyllur i Evropës. Në vitin 1990 me gjasë më i rrezikshmi. Sot vendi i vogël i Ballkanit është i sigurt, stabël dhe falë një infrastrukture gjithnjë e më të mirë edhe individualisht lehtë i arritshëm. Është një vend që duhet zbuluar sa më shpejt para se këtë ta bëjnë hotelierët, ofertuesit e udhëtimeve charter dhe turizmi masiv, sepse, duke pasur parasysh bukurinë e relievit, monumentet interesante kulturore dhe përzemërsinë e njerëzve, kjo mund të ndodh shpejt .
E përditshmja austriake Der Standard është media e radhës që përshkruan bukuritë natyrore dhe kulturën e vendit tonë, në aspektin e tërheqjes turistike.
“ Një udhëtim nëpër Shqipërinë e Jugut të ofron kultura të ndryshme dhe reliev interesant, që mund të eksplorohen mirë si me makinë, ashtu edhe në këmbë – dhe një histori që me shumë se gjurmë, la pas bukuri.”- shkruajnë austriakët.
“Kush dëshiron ta eksplorojë Shqipërinë nga Veriu deri në Jug i duhen disa javë. Kush nuk ka kohë kaq shumë, duhet te vendosë për një pjesë të vendit. Për t’i vizituar bjeshkët e larta në veri, përtej civilizimit, të quajturat “Alpet Shqiptare“, shumica e turistëve udhëtojnë në grupe. Por kush dëshiron të përjetojë në një masë atë që vërtet ofron Shqipëria duhet të bëjë një xhiro në Jug dhe të përjetojë historinë dhe kulturën 3000 vjeçare si dhe t’i ndërlidhë ato me shëtitjet nëpër parqet e shumta nacionale dhe me pushimet në plazh”- shkruan artikulli nga Der Standard.
Artikulli tregon se pikat kulmore kulturore të vendit janë qytetet të cilat janë pjesë e UNESCO si trashëgimi kulturore.
Më tej, përshkruhet edhe ushqimi i shijshëm dhe relativisht i lirë që vendi ynë ofron, sipas tyre, me ndikime greke, turke dhe italiane.
Një ndër pikat turistike që artikulli austriak reklamon për vendin tonë është “Shpella e Pëllumbasit”, në rrethinat e Tiranës, i cili nuk është ndër destinacionet më të njohura për të huajt, madje shpesh aq për shqiptarët.
“Në udhëtimin për në Shpellën e Pëllumbasit, zbulohen mrekulli përgjatë një lumi të qetë. Shpella karstike është krejtësisht e errët dhe të çon në 360 metra thellësi.”- shkruan artikulli.
Artikulli përmend edhe një tjetër atraksion që Shqipëria zotëron, ajo e burimeve termale.
“Burimet e ujit termale në Përmet, një urë e vjetër osmane e gurit dhe një kanion përmes të cilit në verë mund të dalësh dhe të shëtitësh deri larg në një park nacional janë atraksionet e tjera të kësaj treve.” Monitor