Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Parts 29”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në sasi dhe në doza.
Vihen në pranga 2 shtetas rumunë, njëri prej të cilëve dyshohet se shiste doza droge në festivalin e zhvilluar në Delisuf, ndërsa tjetri mbante armë të ftohtë (përforcues grushti).
Në pranga dhe një 30-vjeçar, shtetas italian, pasi iu gjetën në automjet, lëndë narkotike kanabis dhe tableta ekstazie.
Sekuestrohen dozat e lëndëve narkotike kanabis dhe kokainë, tabletat me ekstazi dhe një përforcues grushti.
Një ditë më parë, u vunë në pranga 7 shtetas që vepronin si grup kriminal në këtë festival, për shitjen e dozave të drogave të ndryshme si kokainë, MDMA, ekstazi, LSD dhe kanabis.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Vlorë, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike dhe në zbatim të planit të masave të hartuar nga Policia e Vlorës, për mbarëvajtjen e aktiviteteve argëtuese në qark, bazuar në informacionet e siguruara, ka vijuar kontrollet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që shitnin doza droge në një festival të zhvilluar në Delisuf.
Si rezultat, u finalizua operacioni policor antidrogë i koduar “Parts 29”, gjatë të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit rumunë N. S., 26 vjeç dhe I. C., 25 vjeç, dhe shtetasi italian E. A., 30 vjeç.
Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin N. S., shërbimet e Policisë gjetën doza të lëndëve narkotike kanabis dhe kokainë. Gjithashtu, pasagjerit në këtë automjet, shtetasit I. C., gjatë kontrollit iu gjet një armë e ftohtë (përforcues grushti). Dozat e lëndëve narkotike dhe arma e ftohtë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin E. A., shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike kanabis dhe tabletat ekstazie, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
/a.r