Nga Baton Haxhiu
Në të gjitha regjimet autoritare të historisë së fundit, përdorimi politik i policisë dhe forcave të sigurisë ka qenë një simptomë e qartë e kalimit drejt konfliktit. Kosova nuk duhet të jetë përjashtim në këtë rregull. Sot, me një qeveri që është gjithnjë e më shumë e angazhuar në mobilizimin e Policisë së Kosovës për të luftuar armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, pyetja mbetet: A po ndjek Albin Kurti një rrugë të rrezikshme që njëherë e çoi Serbinë drejt shkatërrimit politik?
Në fillim, Gjermania dhe Amerika mbështetën fuqishëm Albin Kurtin, duke parë tek ai një lider të ri me vizion për reformë dhe drejtësi në Kosovë. Me shpresën se ai do të ndërtonte një qeveri të qëndrueshme dhe pro-perëndimore, ato investuan politikisht dhe diplomatikisht në suksesin e tij. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë dëshmuar se rruga që Kurti po ndjek po shkatërron reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, pothuajse çdo ditë bën deklarata duke e kritikuar hapur Kurtin, një situatë që asnjëherë nuk ishte parashikuar nga mbështetësit e tij të hershëm. Kurti, duke përdorur policinë për të “ndërtuar” një rend juridik dhe politik në Kosovë, në vend që të forcojë demokracinë, po ndihmon indirekt Rusinë, pasi destabilizimi i Kosovës përkon me interesat e Kremlinit në rajon. Situata u përkeqësua aq shumë saqë SHBA dërgoi edhe shefin e CIA-s, William Burns, për të ndërhyrë personalisht në Kosovë. Por edhe kjo lëvizje nuk arriti të qetësojë tensionet.
Pyetja që shtrohet tani është: deri kur kjo tolerancë ndaj kryeneçësisë së Kurtit? Pse këto superfuqi po tregohen të pafuqishme përballë një lideri që duket se po e devijon Kosovën drejt një rruge që i shkon për shtat interesave të Rusisë dhe Serbisë dhe njëkohësisht e pëson nje popull që vuajtjet i ka te freskëta dhe qeverisja është n’dorë të axhamive me karakteristika krejt primitive.
Gjatë krizave politike në veri të Kosovës, përdorimi i forcave policore nuk ka qenë vetëm një masë mbrojtjeje, por një lëvizje taktike për të ruajtur fuqinë politike në prag të fushatave zgjedhore. Është e njëjta taktikë që Millosheviqi përdorte për të konsoliduar autoritetin e tij, duke projektuar armiq të jashtëm, për të larguar vëmendjen nga dështimet e tij të brendshme. Fakti që Ura mbi Ibër është instrumentalizuar për qëllime elektorale flet shumë për këtë qasje: Kur pushteti bëhet i varur nga imazhi i një kërcënimi të përhershëm, policia shndërrohet në vegël për të zgjatur sundimin e qeverisë.
Në këtë klimë politike, policia nuk po përdoret si një institucion neutral që duhet të mbrojë të drejtat e qytetarëve, por si një instrument i drejtpërdrejtë i qeverisë. Duke marrë në konsideratë edhe ndërhyrjen e fundit të SHBA-ve, që akuzuan Qeverinë e Kosovës për instrumentalizim të Policisë së Kosovës, nuk ka më vend për dyshime. Ky është një sinjal i qartë që demokracia në Kosovë është në një udhëkryq të rrezikshëm.
Ajo që është më shqetësuese është heshtja e opozitës parlamentare, që duket se është në linjë me politikat policore të Kurtit. Nacionalizmi i tij populist ka arritur të ndërthurë pasionet kombëtare të të gjithë spektrit politik, dhe me këtë është krijuar një kulturë e frikës dhe intimidimit. Ashtu si në regjimet autoritare të së shkuarës, kur policia përfundon duke ndjekur agjenda politike, ata që nuk përputhen me to, qofshin minoritete apo zëra kritikë, bëhen armiqtë e brendshëm që duhet shuar.
Politikat me policë kanë një efekt domino. Ajo që fillon me armiq të jashtëm në veri të vendit, përfundon me armiq të brendshëm në Prishtinë. Kjo është një rrugë që është parë dhe është provuar në histori, dhe rezultati përfundimtar është gjithmonë një demokraci e copëtuar, një shtet i paralizuar dhe një shoqëri e ndarë. Nëse vazhdon me këtë qasje, Albin Kurti rrezikon të përsërisë një skenar që Ballkani e njeh mirë – atë të Miloseviqit, dhe te Maqedonisë pas pavarësimit te saj.
Pyetja që mbetet për Kosovën është kjo: A do të mundet ajo të ruajë demokracinë e saj të brishtë përballë politikave autoritare që po shfaqen gjithnjë e më qartë? A do të lejohet që institucionet e saj të sigurisë, të ndërtuara nga vetë populli i saj, dhe amerikanet ne veçanti të shndërrohen në mjete për të shtypur të njëjtin popull që i krijoi ato?
Kjo analizë tregon thelbin e asaj që Albin Kurti kërkon, duke e vendosur në një kontekst global dhe historik dhe ngre një paralelizëm të fortë me regjime të kaluara autoritare. Nëse nuk e kupton do vuajmë te gjithë.
Akuzat tuaja ndaj Z Albin Kurtit,jane te po baza sh spiun i UDB,a per ty i ka provuar k/krimineli sllobodan milloshevic,prandaj ha mut,ndytsire i neverriteshem.