Kabineti qeveritar, në 1 shtator, do të tetë orë jashtë zyrave, për të treguar, me hollësi se, çfarë ka mundur të bëjë, për të realizuar programin qeveritar, për të cilin është votuar në katërvjeçarin e fundit.
E bërë një praktikë e zakonshme pune, hedhja e syve përtej pragut, analiza sjell risi, jo vetëm në qeverisje.
2024 nis me një rekord. Fjala është për një buxhet rekord prej 7 miliardë eurosh. Qeveria bëri të njohur këmbënguljen e saj, për të mbështetur zhvillimin ekonomik, para sidomos në nxitjen e punësimit nëpërmjet këtij planifikimi buxhetor.
Një rezultat i prekshëm dhe i konfirmuar është rritja e pagës mesatare në vend në nivelin prej 900 euro në muaj. Më shumë se 39 miliardë lekë për rritjen e pagave në sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe forcave të rendit, e arritën këtë objektiv, jo në prill të 2025, sikundër ishte paraparë, por brenda vitit 2024.
Qeveria kishte vendosur një fokus në mbrojtjen sociale, duke përfshirë skemën e pensioneve, gjë për të cilën ende nuk ka të dhëna. Rreth 1/3 e shpenzimeve të përgjithshme publike të buxhetit 2024, shkon në këtë drejtim. Kjo ndodh për herë të parë. Pensionet pritet të rriten në 1 tetor, por shkalla e rritjes së tyre është ende në një proces debati, edhe brenda dikastereve qeveritare.
Qeveria ka një mundësi për pensione dinjitoze, duke iu referuar edhe sufiçitit buxhetor që vjen nga dy kahje: ka më shumë të hyra fiskale në buxhet, jo vetëm nga mirë administrimi, por edhe nga faktorë jashtë qeverisë, sikundër janë rritja e çmimeve dhe e konsumit dhe, nga suficiti i skemës së pensioneve në vitet e fundit, për shkak të pensionimeve të pjesshme, që lidhen me vjetërsinë në punë dhe daljen në pension të kategorive të pas viteve 90-të, që nuk plotësojnë detyrimet ligjore.
Qeveria ka siguruar një klimë të mirë të investimeve të huaja, të cilat rezultojnë me rritje, ndërsa investimet publike kanë ndjekur ritmin shumëvjeçar të tyre, kur shumica realizohen në fund vit. Disa projekte kanë mbetur prapa afateve të planifikuara, duke shkaktuar vonesa dhe pakënaqësi në komunitetet lokale.
Por, aktet normative, të miratuara tashmë në qeveri, i japin hapësirë financimi, sidomos infrastrukturës rrugore, kur pritet që një numër i konsiderueshëm aksesh të korridoreve ekzistues rrugore, apo atyre të rinj, të marrin firmën e kontratave zbatuese. Të ndjeshme janë investimet e parashikuara në bujqësi, arsim dhe mbrojtje, pas shtesës me 27 miliardë lekë të buxhetit 2024.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi