Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka bërë publike detajet zyrtare sa i përket aksidentit të ndodhur ditën e sotme në Malësi të Madhe.
Referuar rrëzimit të helikopterit të Forcave të Armatosura, Gjeneral Jeronim Bazo tha se gjatë një fluturimi stërvitor rutinor dhe të planifikuar më parë.
“Helikopteri i tipit EC145 kishte në bord në ekuipazh kapiten Florian Deliaj, toger Donald Hoxha dhe ushtarin Gerald Baramuça. Me keqardhje më duhet të bëj me dije se kapiteni dhe togeri kanë humbur jetën, ndërsa personi i tretë i ekuipazhit po trajtohet në spitalin rajonal të Shkodrës, ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën” – tha gjeneral Bazo.
Sipas tij, FA-të kanë humbur dy ushtarakë dhe pilotë të talentuar.
“Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të gjithë përsonelit me uniformë ose jo përcjellim ngushëllimet e sinqerta për familjarët. Ministria e Mbrojtjes ka angazhuar të gjitha forcat për të hedhur dritë se në çfarë rrethanash ka ndodhur ky aksident” – tha Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Sipas tij, helikopteri i tipit EC145 është futur në përdorim në nëntor të vitit 2015 dhe janë marrë si pjesë e Forcave të Armatosura përmes kontratave të rregullta.
“Itinerari i flutirimit ishte brenda trajektores së miratuar, pasi ky helikopter shërbente për operacionet e kërkim-shpëtimit. Të dy pilotët ishin të trajnuar brenda dhe jashtë vendit” – deklaroi Jeronim Bazo.
Ai ka kërkuar mirëkuptimin e gazetarëve që të presin derisa aksidenti në fjalë të zbardhet si rezultat i hetimeve. / javanews.al