Shpëtim Ajazi, 43 vjeç u vra me armë zjarri pas një konflikti për një vend parkimi në Belgjikë.
Një 19-vjeçar, i cili mbeti i plagosur nga të shtënat ndodhet në gjendje të rëndë.
Mediet e huaja kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me ngjarjen.
43-vjeçari shqiptar, rreth orës 19:30 u kthye në shtëpi me furgon.
Kushëriri i tij 19-vjeçar, i cili ndodhej për vizitë në familjen e Shpëtimit, lëvizi Golfin 5 për t’i liruar vend 43-vjeçarit.
Ndërsa dy automjetet ishin të parkuara njëra pas tjetrës, në rrugë u dëgjuan të shtëna.
“Unë dhe bashkëshorti im fillimisht menduam për fishekzjarre. Të rinjtë shpesh i hedhin në rrugë”, thotë një fqinj, i intervistuar nga HLN.
“Por pasi dëgjova më shumë zhurmë, shkova të shikoja nga dritarja. Më pas pashë fqinjin tonë matanë rrugës, ne e quajmë ‘italiani’, me një armë në dorë”.
Autori është identifikuar si Renato F., një hidraulik 61 vjeç, i cili jeton në shtëpinë ngjitur me Shpëtim.
Nga trotuari, 61-vjeçari i drejtoi armën fqinjit, i cili ishte ende në furgon, përpara se ta qëllonte në kokë. Babai i tre fëmijëve nuk mbijetoi. Kushëriri i tij 19-vjeçar, i cili gjithashtu ndodhej në makinën e tij, u qëllua me dy plumba, njëri në shpatull dhe tjetri në qafë. I riu vazhdon të luftojë për jetën në spital.
Gruaja dhe djali i tij u kërcënuan
Sipas disa dëshmitarëve, pas të shtënave ka pasur panik total në lagje. Djali i madh 15-vjeçar dhe gruaja e Shpëtimit, të cilët ndodheshin në shtëpi në momentin e të shtënave, kanë dalë menjëherë në rrugë.
Sipas një familjari, ata janë kërcënuar nga Renato F.
“Ai drejtoi armën drejt tyre, sikur të ishin të radhës. Aty e panë Shpëtim në furgonin e tij. E panë të vdiste, është e tmerrshme”, dëshmon Bashkim Ajazi, një kushëri tjetër i viktimës.
Pasi ka kërcënuar edhe një fqinj tjetër që ka tentuar ta qetësojë, Renato F. ka është larguar me makinën e tij BMW. Ai u arrestua disa orë më vonë nga policia.
Motivi është i qartë për hetuesit. Në fakt, dy fqinjët kishin vite që grindeshin për vendin e parkimit.
Sipas një fqinji, policia ka ndërhyrë në disa raste për këtë arsye.
/a.r