Një studim i ri tregon se tingujt që bëjnë bebet në vitin e tyre të parë të jetës janë eksplorime të përllogaritura të komunikimit verbal. Kërkimi i bërë nga shkencëtarë në SHBA tregon fazat e hershme të zhvillimit të të folurit dhe si bebet praktikohen për të prodhuar tiguj.
Përpara se të thonë fjalët e para, bebet kalojnë në një fazë të rëndësishme eksplorimi verbal. Ata lëshojnë tinguj që nuk janë fjalë, por hapa drejt të folurit. Këto tinguj quhen “protofonë” dhe klasifikohen në tri kategori: këlthitje, hungërima dhe vokante (tinguj zanoresh).
Kërkuesit u bënë kuriozë sesi bebet i lëshojnë këto tinguj. Për shembull, një bebe mund të këlthasë disa herë dhe më pas të prodhojë disa zanore. Kjo sjellje tregon se ata praktikojnë kategoritë e ndryshme të tingullit, një hap i rëndësishëm ky në zhvillimin e aftësisë për të prodhuar tingujt që duhen për të folur.
Gjatë një studimi një vjeçar në 130 bebe, shkencëtarët zbuluan modele të vokalizimit që prej një moshe të vogël. Gjatë vitit të parë të jetës, foshnjat nuk lëshonin këlthitje dhe hungërima të rastësishnme, por praktikonin kategori specifike tingujsh.
Kjo sjellje ishte e pranishme edhe te bebet e vogla duke sfiduar idenë se lojërat vokale nisin rreth moshës 3-4 muajshe. Kërkuesit vunë re hungërima dhe këlthitje edhe te foshnjat nga 0-2 muajshe.
Gjithashtu ata u habitën kur vunë re se grumbullimi i tingujve nuk rritej me moshën. Në fakt, ndryshonte në grupmosha të ndryshme dhe në disa periudha ishte më i dukshëm se të tjerat. P.sh, këlthitjet arrinin kulmin në moshën 7-8 muajshe.
Të gjitha këto tregojnë se bebet janë aktive në zhvillimin e tyre vokal. Në vend të tingujve rastësorë, ata eksplorojnë dhe praktikojnë tinguj të ndryshëm që në moshë fare të vogël. Ndonëse ne i mendojmë si marrës informacioni nga prindërit apo bota rreth tyre, një pjesë të gjërave i kryejnë tërësisht të pavarur.
/a.r