Nga Çapajev Gjokutaj
Më skandalizoi lajmi se, në një shtëpi të moshuarish në Tiranë pleqtë i mbanin lidhur dhe i zgjidhnin vetëm kur kishin vizita nga të afërmit. Kësaj i thonë të të trajtojnë si kafshë, jetë qeni e shkuar qenit!
Përkundër skandalizimit të çastit, lajmi me pleq të lidhur u bë fir e humbi mes morisë së lajmeve me vrasje, plagosje, kurvërime, zjarre e gjithfarë mynxyrash që, me aq bujari i përcjellin mediat tona, sidomos gjatë gushtit kur ulen qepenet e politikës dhe kur komunikatat e policisë mbeten burim kryesor për gazetarët e bulevardit.
Pleqtë e lidhur do më rikujtoheshin dje, kur njeri nga miqtë e fejsbukut postonte foton e një stërgjyshi shkrepur një shekull e kusur më parë.
Nga fotografia e zverdhur më shihte drejt në sy një plak i mbajtur, gjithë dinjitet me një vetbesim që shkonte deri në kufijtë e krekosjes.
Në fakt shumica e pleqëve të fotografuar në ato kohë të largëta shfaqen po kështu, gjithë vlerësim për veten e për atë që përfaqsojnë.
Dhe s’di të them: ndodh kështu ngaqë dikur pleqtë gëzonin respekt e ushtronin pushtet, apo e gjithë kjo s’është veçse një mit i përcjellë ndër breza për t’i zgjatur jetën patriarkatit?
Mos vallë kemi të bëjmë me një dukuri më së shumti psikologjie: para aparatit, para syrit të botës pleqtë aktronin për t’u dukur siç i kërkonte zakoni?
Ç’ta ketë shkaktuar zhvleftësimin masiv të pleqve të sotëm krahasuar me të dikurshmit? Kemi një mjedis shoqëror më cinik e më të pashpirt apo kjo dukuri nxitet nga kushte të reja, krejt të ndryshme sociale dhe ekonomike?
Dhe përfund gjithë këtyre: njerëzillëku është modë që vjen e ikën, tani zbehet e pastaj forcohet, apo është vyrtyt që buron pandërprerë nga shpirti human?